Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq tha se Instituti Teknik Ushtarak (VTI), kompanitë vendase dhe kompani të tjera nga Serbia kanë krijuar një mundësi për ushtrinë serbe që të luftojë sot si vendet më moderne në botë dhe se qëllimi i Serbisë “është mbajtja e primatit ushtarake në rajon për 10 vitet e ardhshme”, transmeton Demokracia.com.
“Unë jam shumë krenar për ushtrinë tonë, rrallë dikush në rajon mund ta bëjë këtë”, tha Stefanoviq si i ftuar në një emision special të RTS kushtuar stërvitjes “Mburoja e zjarrit 2022”, e cila përfundoi fundjavën e kaluar.
Kjo stërvitje ishte mbajtur në rrethin e Çuprisë, një qytet rreth 140 kilometra afër kufirit me Kosovën (në pjesën e Merdares).
Stefanoviq tha se shteti është i përqendruar që ushtria serbe të ruajë supremacinë në rajon për 10 vitet e ardhshme, jo për të rrezikuar, siç theksoi ai, por për të qenë e aftë të mbrojë vendin nga kushdo që mendon se mund të rrezikojë.
Serbia i llogaritë si armiq kryesor në rajon, Kosovën dhe Kroacinë. Këtë e kanë thënë në disa raste krerët e shtetit serb. Po ashtu Serbia tenton kontrollin mbi Malin e Zi, shtet ky me popullësi të përzier malazeze, serbe, shqiptare dhe boshnjake.
Serbia është aleatja kryesore e Rusisë në Evropë dhe i vetmi vend që nuk i ka vendosur sanksione Moskës zyrtare pas agresionit ndaj Ukrainës.