Ministri spanjoll i Bujqësisë Luis Planas tha se ishte i shqetësuar se vaji i ullirit mund të shndërrohej në një produkt luksoz në Spanjë.
“Këto produkte janë të rëndësishme. Por për një produkt si vaji i ullirit është e rëndësishme që ai të mbetet i aksesueshëm edhe për klasën e mesme”, tha Planas në një intervistë për televizionin spanjoll “Onda Cero”.
Thatësira e konsiderueshme dhe nxehtësia rekord kanë ndikuar veçanërisht në prodhimin e ullirit të këtij viti në Spanjë. Në të njëjtën kohë, çmimet më të larta të energjisë kontribuan në rritjen e kostove të prodhimit.
Ministri Planas tha se Spanja është në rrugën e duhur për të prodhuar më pak se 800 mijë tonë vaj ulliri këtë vit, që është dukshëm më pak se në vitin 2021, kur u prodhuan 1.4 milionë tonë.
Edhe pse ministri i Bujqësisë tha se nuk parashikon mungesë të vajit të ullirit, ai u bëri thirrje kompanive spanjolle që furnizojnë tregun vendas që të ulin çmimet e këtij produkti.
“Rritja e çmimeve ndikohet veçanërisht nga kostot e prodhimit, por përfshin edhe disa vendime ekonomike”, shtoi Planas.
Në Spanjë, çmimi i ushqimeve u rrit 15.4 për qind nga viti i kaluar, sipas raportit të inflacionit të tetorit, kërcimi më i madh vjetor që nga viti 1994./FolDrejt/