Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, bashkë me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, kanë mbajtur një konferencë për media, nëpërmjet së cilës e kanë sqaruar situatën në veri, shkruan Fol Drejt.
Sipas Ministrit Sveçla, që në orët e para të mëngjesit, ka filluar zbatimi i vendimit të Qeverisë së Kosovës në të gjitha pikat kufitare, pa pengesa dhe pa vonesa të mëdha.
“Dokumenti për hyrje dalje do të zëvendësoj dokumentin e identifikimit personal gjatë hyrjes dhe qarkullimit në territorin e republikës së Kosovës, si dhe për shfrytëzim në institucionet shtetërore. Vlefshmëria e këtij dokumenti, është 90 ditë.”
Po ashtu ai i ka shpjeguar edhe zhvillimet e pasdites së djeshme, ku për pasojë, u raportua edhe për të lënduar.
“Nga zhvillimet e djeshme, kemi 11 qytetarë të Republikës së Kosovës, të lënduar, të cilët kanë marr tretmanin e nevojshëm, si dhe janë dëmtuar disa vetura” – ka thënë ai.
Për të gjitha këto, sipas ministrit, Policia e Kosovës ka filluar hetimet. Po ashtu, sipas tij, disa barrikada kanë filluar të largohen.
“I sigurojmë qytetarët e vendit se i gjithë ky proces, po vijon në bashkërendim në mes të njësive policore, të cilët janë të vendosura në pikat kufitare si dhe në stacionet policore, të ngritura nga shteti i Kosovës, e gjithë kjo me qëllim të përfundimit me sukses të këtij aktiviteti” por edhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe sovranitetit të vendit – tha Ministri Sveçla.
Ai i ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë për bashkëpunimin dhe mbështetjen, si dhe liderët politikë unitetin e treguar në këtë situatë dramatike./FolDrejt/