Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar veprime të tjera ndaj gjithë atyre që kanë sulmuar KFOR-in, gazetarët dhe Policinë e Kosovës. Ka thënë se veprimet e Kosovës do të jenë kundër organizimeve kriminale të Serbisë dhe bandave tjera që po veprojnë në veri
‘Nuk do të ndalemi me kaq”, ka paralajmëruar Sveçla.
Ai ka kërkuar konsistencë nga ndërkombëtarët sa i përket luftës ndaj krimit dhe kriminelëve.
“Kompromise me terroristët, kompromise me sulmuesit e mediave, KFOR-it nuk ka”, ka thënë ai.
Sveçla ka deklaruar se do të kërkojë që organizatat “Severna Brigada” dhe “Mbrojtja Civile” do të shpallen terroriste.
“Ditëve në vijim do kërkoj nga Qeveria që organizatat, Mbrojtja Civile dhe Severna Brigada, të shpallen organizata terroriste me çka lufta ndaj tyre do jetë edhe më efikase”, ka deklaruar ai.
Drejtori i Policisë: Armët në veri kishin për qëllim të përdoreshin për sulme terroriste
Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, ka thënë se armatimi i konfiskuar në Zveçan ishin të destinuara të përdoreshin për sulme terroriste.
Në një konferencë për media bashkë me ministrin e Brendshëm Xhelal Sveçla, Hoxha ka thënë se Policia ka pasur sukses në parandalimin e sulmeve terroriste, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Pjesa dërrmuese e armatimeve janë prodhuar në Serbi. Një pjesë e armëve janë prodhuar më 2021”, ka thënë Hoxha.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka paralajmëruar se aksionet kundër krimit dhe parandalimit të sulmeve terroriste do të vazhdojnë.
Sveçla ka thënë se veprimet e Policisë janë në përputhje me ligjin e jo siç deklarojnë zyrtarët e BE-së.
“Çdo veprim është duke u bërë sipas ligjit. Ftoj Borellin të adresojë saktë agresionin e Serbisë ndaj Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas tij, Borelli duhet të bëjë deklarata të përgjegjshme që të mos eskalojë situata në veri.
“Kosova do të mbrojë çdo cep të saj bazuar në ligj e Kushtetutë”, ka thënë ai.
Policia ka konfiskuar një Audi A6; zolla; 2 lansues; 2 osa; 1 predh e minahadhësit; 21 granatadore – të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë sulmit ndaj KFOR-it më 29 maj; 20 predha të tromblonit;2 mbushës të barutit; 10 armë të gjata automatike; 1 revole; 1 shurdhues të armëve; 51 karikatorë të armëve të gjata; 5 karikatorë të armëve të shkurtëra; 5756 fishekë të kalibrit të ndryshëm; 18 koktej molotovi; 17 mjete piroteknike; 14 mjete tymosëse; 5 thika ushtarake; 11 jelekë antiplumb dhe taktik; 9 unifroma ushtarake; 1 dylbi; Maska kundër helmimit nga gazi; 1 dyshek ushtarak për nevoja te snajperëve; Telefonë, tre radiolidhje dhe një sasi e narkotikëve./BetimipërDrejtësi/