Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka reaguar në lidhje me sulmin ndaj gazetarit Valon Syla, duke shprehur shqetësimin e tij.
Sipas Sveçlës, sulmi ndaj kujtdo është vepër e rëndë ndërsa bëhet më i papranueshëm kur i drejtohet një gazetari, puna dhe liria e shprehjes të së cilit janë të garantuara me legjislacionin.
“Si qytetar dhe si Ministër i Punëve të Brendshme natyrisht jam shqetësuar me sulmin e mbrëmshëm ndaj gazetarit Valon Syla. Si shoqëri dhe si pjesë e institucioneve angazhohemi për një shtet ku mbizotëron demokracia e ku mendimi ndryshe nuk ballafaqohet me sulm të çfarëdo lloj forme. “, është shprehur Sveçla në një postim në Facebook.
“Pas hetimeve intenzive të Policisë së Kosovës tashmë janë identifikuar sulmuesit e gazetarit Syla dhe shumë shpejtë kryesit e këtij akti do të sillen para drejtësisë.
Institucionet e sigurisë do të vazhdojnë angazhimin për garantimin dhe respektimin e të drejtave të çdo qytetari tonë të cilat janë të pacënueshme dhe të padiskutueshme.”, ka shtuar tutje Sveçla./FolDrejt/