Ministri i Punëve të Brendshme, z. Xhelal Sveçla me ftesën e Ministres Federale të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, znj. Nancy Faeser, mori pjesë në takimin e Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, përgjegjës për siguri të brendshme dhe migrim.
Me këtë rast ministri Sveçla ritheksoi zotimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për shtyrjen përpara të iniciativave nën kornizën e Procesit të Berlinit, si iniciativa që do të sjellin përfitime për regjionin dhe më gjerë, transmeton Fol Drejt.
Gjatë këtij takimi ministri Sveçla potencoi rëndësinë jo vetëm të bashkëpunimit rajonal, por dhe më gjerë në shkëmbimin e informacioneve me qëllim të luftimit të migrimit të parregullt, por dhe në rritjen e sigurisë në përgjithësi.
Gjithashtu ministri Sveçla theksoi rezultatet e Republikës së Kosovës në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të cilat kanë ndikuar në rangimin e Kosovës si vendi i parë në Ballkanin Perëndimor nga Raporti Botëror i Drejtësisë në Sundimin e Ligjit si dhe përmirësimit për 17 vende në Indeksin e Transparency International.
Në fjalimin e tij ai ndau edhe përvojën e suksesshme të Kosovës në fushën e luftimit të terrorizmit, në rikthimin dhe riintegrimin e shtetasve që kanë marrë pjesë në luftërat e huaja, kthimin e grave dhe fëmijë të tyre, si dhe rëndësinë e bashkëpunimeve operacionale dhe me shtetet e rajonit.
Në fund të takimi të djeshëm ministri Sveçla theksoi se parakusht për bashkëpunim të sinqertë është trajtimi i barabartë jo vetëm ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor, por edhe nga vetë BE-ja, duke u zotuar se ne do të vazhdojmë të jemi partner serioz në angazhimet tona të përbashkëta për sundimin e ligjit, si parakusht për progresin dhe zhvillimin e Republikës së Kosovës.
Ndërsa sot gjatë vizitës në Berlin, ministri i MPB-së, z. Xhelal Sveçla u takua me Dr. Dieter Romann, Presidentin e Policisë Federale të Gjermanisë, me të cilin biseduam për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes të dy policive dhe nevojën për forcimin e këtij bashkëpunimi tutje.
Ministri Sveçla falënderoi Dr. Romann për ndihmën e dhënë për Policinë e Kosovës si në ndihmën e vazhdueshme me pajisje të ndryshme teknologjike, ashtu dhe në ngritjen e kapaciteteve njerëzore kryesisht për kontroll dhe siguri të dokumenteve, falsifikim, migrim dhe kontroll të kufirit.
Gjithashtu ministri Sveçla theksoi se përvoja e Policisë Federale Gjermane në ruajtjen dhe vëzhgimin e kufirit, luftimin e krimit në përgjithësi është jashtëzakonisht e rëndësishme për Policinë e Kosovës.
Ndërsa në anën tjetër Presidenti i Policisë Federale theksoi se bashkëpunimi me Policinë e Kosovës ka qenë i shkëlqyer dhe se do të vazhdojë tutje me qëllim të luftimit të trafikimeve të ndryshme, shkëmbimin e informatave, përfshirë këtu edhe luftimin e migrimit ilegal.
Presidenti Romann shprehi gatishmërinë e tij për vazhdimin e mbështetjes konkrete duke intensifikuar projektet e përbashkëta si në fushën e avancimeve të kapaciteteve njerëzore, po ashtu dhe në avancimin e teknologjisë për luftimin e formave të ndryshme të krimit kryesisht ndërkufitar.
Në fund të takimit ministri, z. Xhelal Sveçla e ftoi Dr. Romann për një vizitë në Kosovë, për të parë nga afër progresin por dhe sfidat me të cilat përballemi si Kosovë./FolDrejt/