Më shumë se 15 milionë ton drithë dhe produkte ushqimore janë eksportuar nga Ukraina që nga fillimi i Iniciativës për Drithërat e Detit të Zi, tha ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar, transmeton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Falë punës së Qendrës së Përbashkët të Koordinimit të krijuar në Stamboll, më shumë se 15 milionë ton ushqim u dërguan në mënyrë të sigurt nga portet ukrainase në vendet në nevojë”, tha Akar.
Ai shtoi gjithashtu se Turqia, veçanërisht në periudhën e fundit, ka zhvilluar diplomaci aktive për t’i dhënë fund luftës ruso-ukrainase sa më shpejt dhe për të arritur një armëpushim dhe ka dhënë një kontribut të madh në nënshkrimin dhe vazhdimin e dërgesës së drithit për të kapërcyer krizën ushqimore që kërcënon gjithë botën.
Më 17 nëntor në Stamboll, Ukraina, Kombet e Bashkuara dhe Turqia ranë dakord të zgjasin Iniciativën për Transportin e Sigurt të Drithërave dhe Produkteve Ushqimore nga portet e Ukrainës (Iniciativa për Drithërat e Detit të Zi) për 120 ditë të tjera. Nisma nisi më 22 korrik dhe anija e parë me grurë ukrainas u largua nga porti i Odesës më 1 gusht. /FolDrejt/