Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ministri, Arben Vitia, ka pritur sot në takim kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, me të cilin kanë diskutuar për avancimin e shërbimeve shëndetësore për qytetarët e kryeqytetit, raporton Fol Drejt.
“Sot, Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia priti në takim kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama ku diskutuan për avancimin e sistemit të shëndetësisë në shërbim të qytetarëve. Ministri Vitia e njoftoi se në kuadër të realizimit të objektivave, është rritur edhe buxheti për Grantin Specifik për shëndetësi për kujdesin parësor shëndetësor (KPSH), duke shtuar edhe pozita të reja për profesionistë shëndetësorë.”, shkruan në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Shëndeti i qytetarëve është qëllimi ynë kryesor që duhet të na bashkojë të gjithëve. Buxheti më i madh që është ndarë sivjet nga Qeveria për Ministrinë e Shëndetësisë, do të jetë vetëm në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe se është jashtëzakonisht i rëndësishëm bashkëpunimi midis institucioneve të nivelit qendror dhe atij komunal për realizimin e objektivave”, tha Ministri Vitia.
Ndërsa, kryetari Rama e ka falënderuar ministrin Vitia për përkrahjen dhe bashkëpunimin, ndërsa kanë diskutuar veçanërisht për Kujdesin Parësor Shëndetësor. Gjithashtu biseduan për shërbimet ambulatore specialisitke të cilat do të ndikojnë në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Gjatë këtij viti, Ministria e Shëndetësisë ndau gjysmë milioni euro për qytetarët e Komunës së Prishtinës në kuadër të projektit “Vizita në shtëpi për nënat dhe fëmijët”. /FolDrejt/