Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural njofton të gjithë fermerët e Rep. së Kosovës se nga sot hap periudhën për aplikim në Programin për Pagesa Direkte – Subvencione për vitin 2023.
“Fermerët/aplikuesit, që përfitojnë subvencionin për sipërfaqet e tokës bujqësore të mbjellë/kultivuar, njëkohësisht do të përfitojnë edhe nga subvencionimi i pjesshëm i çmimit të naftës për litër, në vlerë prej 0.36 €/litër, për sasinë e naftës prej 150 l/ha e cila është e nevojshme për kultivimin e 1 ha të tokës bujqësore, dhe është vlerë shtesë mbi subvencionimin bazë për të gjitha sipërfaqet e tokës bujqësore që pranohen për subvencionim dhe që janë të parapara për tu subvencionuar në këtë program”, thuhet në njoftim, përcjell Fol Drejt.
Gjithashtu, fermerët/aplikuesit, që përfitojnë subvencionin për sipërfaqet e tokës bujqësore të mbjellë/kultivuar me kulturat bujqësore: grurë, grurë për prodhimin e farës, misër, luledielli, patate dhe fasule monokulturë, njëkohësisht do të përfitojnë edhe nga subvencionimi i pjesshëm për sasisë të plehut artificial të shpenzuar/përdorur gjatë kultivimit, në vlerë prej 150 €/ha për grurë dhe grurë për prodhimin e farës, ndërsa në vlerë prej 100 €/ha për misër, luledielli, patate dhe fasule monokulturë dhe është vlerë shtesë mbi subvencionimin bazë për të gjitha sipërfaqet e tokës bujqësore të mbjellë/kultivuar, me kulturat bujqësore: grurë, grurë për prodhimin e farë, misër, luledielli, patate dhe fasule monokulturë, të cilat pranohen për subvencionim dhe që janë të parapara për t’u subvencionuar në këtë program.
“Fermerët/aplikuesit, që përfitojnë subvencionimin e pjesshëm për sasinë e plehut artificial të shpenzuar/përdorur gjatë kultivimit të grurit, grurit për prodhimin e farës, misrit, lulediellit, patates dhe fasules monokulturë, duhet të sjellin si dëshmi faturat e blerjes të sasisë së plehut artificial të shpenzuar/përdorur gjatë kultivimit, nga datë 15.08 deri 15.09.2023”, thuhet tutje në njoftim.
Afati për aplikim zgjatë 30 ditë kalendarike dhe fillon që nga dita e shpalljes publike, nga data 28.02.2023 dhe përfundon më datë 29.03.2023, në ora 16:00. Aplikimi bëhet në zyrat e Drejtorive Komunale për Bujqësi në komunat përkatëse.
“Sqarim: Sa i përket aplikimit për kulturat me sipërfaqe të cilat duhet të digjitalizohen ju informojmë se aplikimi fillon nga data 17.03.2023, për shkak të ndryshimeve të nevojshme në sistemin për digjitalizimin e parcelave (LPIS)”, njofton ministria.
Lidhur me kulturat dhe aktivitetet bujqësore të cilat përkrahen, si dhe detaje tjera rreth programit të sivjetmë i gjeni të listuara në thirrjen për aplikim të cilën e gjeni të publikuar në ueb faqen zyrtare të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në linkun: https://www.azhb-ks.net/sq/subvencione dhe https://mbpzhr-ks.net/sq./FolDrejt/