Siç njofton Ministria e Drejtësisë, zëvendësministri i kësaj Ministrie, Blerim Sallahu, diskutoi rreth Byrosë Shtetërorë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, si dhe për Fondin e Veçantë të Konfiskimit.
Zëvendësministri Sallahu tha se mjetet e konfiskuara do të destinohen në ndihmë për grupet e margjinalizuara, pastaj për viktimat e rasteve të dhunës në familje, personave në rehabilitim që kanë qenë të varur nga droga, etj.
Në këtë aktivitet të organizuar nga Qendra AIRE, zëvendësministri njoftoi për ndryshimet e bëra në Ligjin për APSK-në, ku deri më tash nuk ishte lejuar shitja, dhënia në shfrytëzim me qira dhe shfrytëzimi i pronave të paluajtshme të sekuestruara, kurse tash e tutje, përmes plotësim/ndryshimit që kemi iniciuar, një gjë e tillë do të jetë e mundshme dhe mjaft fitimprurëse.
Sallahu tha se në përgjithësi janë të kënaqur me gatishmërinë e zyrtarëve për t’u aftësuar më tutje me metodat dhe praktikat më të mira të shteteve të zhvilluara për trajtimin e pasurisë së të gjitha llojeve që është sekuestruar apo konfiskuar.
“Jemi shpresëplotë që ndryshimet e shumanshme që kemi ndërmarrë për reformën në drejtësi do të japin efekte adekuate dhe do të ketë më shumë punë e angazhim për zyrtarët e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar.
Në këtë linjë, trajnimet e ofruara, sidomos këto ku ekspertët ndërkombëtarë dhurojnë njohuri të çmuara për zyrtarët tanë, konsiderojmë se janë edhe më të vlefshme sepse po ndodhin pikërisht në kohën kur jo vetëm si institucione por në përgjithësi si shoqëri po presim për rritje të volumit për sekuestrim dhe konfiskim të pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, tha ndër të tjera në këtë takim, Zëvendësministri i Drejtësisë, njofton Ministria e Drejtësisë./FolDrejt/