“Kjo fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë”
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) e Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov dhe po ashtu ndaj raportimeve të agjencisë ruse të lajmeve “TASS”, shkruan AA.
MPJD nëpërmjet njoftimit ka hedhur poshtë në mënyrë kategorike si të pavërtetë tendencioze çdo pretendim të agjencisë së lajmeve dhe ministrit Lavrov se kinse “Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin….”.
“I bëjmë me dije ministrit rus Lavrov dhe agjencisë së lajmeve ruse TASS, se Republika e Kosovës e ka të ndaluar me ligj pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga “ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane”.
“Kjo fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë”, është thënë nga MPJD-ja.
Në njoftimin e njëjtë për media, MPJD ka shprehur solidaritet të plotë të popullit kosovar me popullin e Ukrainës “për të drejtën për jetë të lirë e sovrane në shtetin e tyre”.
“Republika e Kosovës bën thirrje për ulje të tensionit dhe shmangie të konfliktit, i cili mund të marrë përmasa të paparashikueshme. Republika e Kosovës i bashkohet botës demokratike në dënimin e politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste ruse në dëm të shtetit sovran e të pavarur të Ukrainës”, përfundon njoftimi.
Ministri rus Lavrov kishte thënë të premten se “janë duke u rekrutuar mercenarë në Kosovë e Shqipëri për të luftuar në Ukrainë”.
“Ka informacione se mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina po rekrutohen për të rrëzuar Rusinë nga ekuilibri, që përfshin dërgimin e tyre në Donbas të Ukrainës lindore. Ne po punojmë për ta verifikuar atë tani”, ka thënë Lavrov./FolDrejt/