Vizita e ardhshme e Xi Jinping në Rusi është për “paqe” dhe Kina do të mbajë “pozitën e saj objektive dhe të paanshme” për çështjet ndërkombëtare dhe rajonale, përfshirë krizën e Ukrainës. Këtë e tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin, raporton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Propozimi i Kinës thjeshtohet në një fjali, që është të nxisë paqen dhe të promovojë bisedimet,” tha Wang në një konferencë shtypi të premten.
Udhëtimi i Xi vjen ndërsa Pekini përpiqet të prezantohet si një ndërmjetës neutral i paqes në luftën e Ukrainës dhe ndërsa përpiqet të balancojë marrëdhëniet e tij “pa kufi” me Moskën dhe lidhjet e prishura me Perëndimin.
Zyrtarët perëndimorë kanë ngritur gjithashtu shqetësime se Kina mund të konsiderojë t’i japë Rusisë ndihmë vdekjeprurëse ushtarake, një akuzë e mohuar nga Pekini.
Duke folur në konferencë, Wang tha se Kina ka mbajtur gjithmonë një qëndrim “të matur dhe të përgjegjshëm” dhe ka kontrolluar eksportin e artikujve ushtarakë dhe civilë me përdorim të dyfishtë në përputhje me ligjin.
Bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar midis Kinës dhe Rusisë është “i hapur dhe transparent”, tha ai.
Udhëheqësi kinez do të bëjë një vizitë shtetërore në Rusi në datat 20-22 mars. /FolDrejt/