Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka mbajtur tryezën e tretë të sportit.
Siç njoftojnë nga vetë Ministria, në këtë tryezë u diskutuan katër tema gjithsej, duke filluar nga procesi i licensimit të federatave sportive, drafti i strategjisë shtetërore për sportit, hartimi i ligjeve të reja në sport dhe organizimi i garave ndërkombëtare në sport.
Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të federatave sportive, zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, si dhe përfaqësuesve të tjerë komunitetit sportiv, u morën disa konkludime:
“I. PROCESI I LICENSIMIT TË FEDERATAVE SPORTIVE
Komisioni i MKRS-së për licensim të federatave sportive po vazhdon angazhimin e saj në trajtimin e aplikacioneve të federatave për licensim dhe shqyrtimin e dokumentacioneve të tyre, në përputhje të plotë me udhëzimin e ri administrativ për licensim, i cili ka hyrë në fuqi gjatë vitit 2022. Sipas raportit të komisionit, deri më tani janë dhënë rekomandime për licensimin e 18 federatave, gjersa numri gjithsej i federatave që kanë aplikuar për licensim është 31.
Gjatë procesit të licensimit nga federatat janë ngritur 2 çështje si më sfiduese:
Statusi juridik i federatave/ klubeve;
Vërtetimi i komunave përkatëse për klube.
Ndërsa komisioni për licensim të federatave ka prezantuar 3 gjetje si më të shpeshtat përgjatë procedurës së vlerësimit të aplikacionit të federatave:
- Mos harmonizimi i akteve normative të federatave me legjislacionin në fuqi;
- Pozitat e shumëfishta të personave në pozitat drejtuese dhe profesionale;
- Mos regjistrimi i klubeve në komunat përkatëse.
Pikat e lartpërmendura u rekomanduan që të trajtohen dhe të gjejnë zgjidhje në Ligjin e ri të Sportit.
II. DRAFTI I STRATEGJISË SHTETËRORE PËR SPORT
Drafti aktual i strategjisë shtetërore për zhvillimin e sportit, u prezentua me përditësimet e komenteve nga ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Komiteti Olimpik i Kosovës
Dokumenti në fjalë përfshinë 5 qëllime strategjike:
- Ndërtimi i një shoqërie vitale nëpërmjet pjesëmarrjes në sport dhe aktivitete fizike;
- Zhvillimi i kapaciteteve njerëzore dhe aftësive të qeverisjes së mirë;
- Përmirësimi i infrastrukturës dhe objekteve sportive;
- Më shumë rezultate kulmore në sportin e Kosovës;
- Hartimi i politikave afatgjate sportive.
U propozua që të shtohet indikatori i vlerësimit të sfidave dhe sukseseve, gjë që fuqizon më tej dokumentin strategjik. Drafti pritet të vendoset në platformën e konsultimeve publike deri më 1 mars, ndërsa nga Qeveria pritet të miratohet përgjatë gjashtëmujorit të parë të këtij viti, me synimin që më pas të gjitha organizatat sportive dhe strukturat e tjera, të funksionojnë në përputhje me këtë strategji.
III. HARTIMI I LIGJEVE TË REJA PËR SPORT
Në tryezë është diskutuar për përmirësimin e politikave ekzistuese dhe zhvillimin e reformës ligjore në sport, ku pjesëmarrësit u informuan mbi planet dhe angazhimet e MKRS-së në këtë drejtim. Korniza primare ligjore në sport sivjet synohet të përmbushet me 3 ligje të reja:
- Hartimi dhe miratimi i Ligjit të ri për sport
- Miratimi i Ligjit për Antidoping
- Plotësim ndryshimi i Ligjit për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës dhe dukurive negative në ngjarjet sportive
Reforma ligjore vjen si rrjedhojë e gjetjeve dhe rekomandimeve të konkluduara në Koncept Dokumentin për Sport, i cili u aprovua në fund të vitit 2022. Reforma pritet të realizohet përgjatë periudhës 2023/24, duke përfshirë këtu edhe hartimin e mbi 12 akte normative që vijnë si derivat i ligjeve të mësipërme. Disa nga tematikat që do të trajtohen dhe do të gjejnë zgjidhje në ligjin e ri për sport janë: modeli I financimit të sportit përfshirë grantin e veçantë të sportit për nivelin lokal, menaxhimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës fizike sportive, regjistrimi dhe funksionimi i të gjitha organizatave sportive në vend, organizimi i garave ndërkombëtare në Kosovë, fuqizimi i përfaqësimit të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si dhe ngritja e kapaciteteve njerëzore.
IV. ORGANIZIMI I GARAVE NDËRKOMBËTARE NË VEND
Organizimi i garave ndërkombëtare në vend u trajtua si një politikë e veçantë shtetërore që synohet të
shtyhet përpara nga ana e Qeverisë, me qëllim të promovimit sa më të mirë të vendit në skenën
ndërkombëtare.
Organizimi i ngjarjeve të tilla do të ndikonte në 3 fusha:
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Komiteti Olimpik i Kosovës
Ndikimi brendshëm – Zgjerimi i burimeve financiare dhe njerëzore, zhvillimi i sportit, komercializimi dhe sponsorizimet;
Ndikimet strategjike/ politike – Adaptimi në strategjitë politike ndërkombëtare dhe promovimi I vendit;
Ndikimi infrastruktural – Përmirësimi dhe zhvillimi i infrastrukturës dhe krijimi i një trashëgimie të qëndrueshme infrastrukturore.
Me theks të veçantë u tha se mbështetja nga niveli institucional për organizime të tilla do të jetë e madhe dhe për këtë arsye u inkurajuan të gjitha federatat sportive që në koordinim me MKRS-në të synojnë që ta fitojnë të drejtën e organizimit të ngjarjeve sa më të mëdha sportive në vend.”, thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie, transmeton Fol Drejt.