Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së sot kanë mbajtur takimin koordinues mes Zyrës Ndërlidhëse të NATO-së (NALT) dhe Institutit Amerikan për Qeverisje të Sigurisë (ISG).
Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, gjatë fjalës së tij Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj numëroi të arriturat për vitin 2022, ku ndër të tjera ishte plotësim-ndryshimi i tri ligjeve bazë të MM-së dhe FSK-së, Ligji për Policinë Ushtarake dhe rritja e numrit të rekrutimeve, transmeton Fol Drejt.
“Si fokus për vitin 2023 është hartimi dhe miratimi i Strategjisë së Mbrojtjes, Projektligji për Agjencinë për Inteligjencë dhe Siguri, Koncept-dokumenti për komponentin rezervë, etj.
Me këtë rast, Ministri Mehaj theksoi se viti 2023 është një vit shumë i rëndësishëm për Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në ku ndër objektivat më të rëndësishme është ristrukturimi i Ministrisë së Mbrojtjes.
Gjithashtu, Ministri Mehaj theksoi me rëndësi diskutimin për mënyrat se si mund të rritet efikasiteti në punë, të ngritët niveli i koordinimit ndërmjet aktorëve institucional, si dhe të eliminohet çdo pengesë duke risistemuar personat e duhur në pozitat e duhura.”, thuhet në njoftimin e kësaj Ministrie.
“Këtë vit ngjarje me rëndësi, ai potencoi edhe Ushtrimi “Defender-Europe 23”, për çka kërkoi angazhim dhe përgatitje shtesë. Më tej në fjalën e tij, Ministri Mehaj theksoi se integrimi në NATO i Republikës së Kosovës duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur dhe për këtë ai kërkoi ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Nga ana e tij, Drejtori i NALT, gjeneral brigade Joachim Hoppe përgëzoi MM-në dhe FSK-në për organizimin e sotëm duke theksuar se bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ndërsa zv.komandanti i FSK-së, gjeneralmajor Enver Cikaqi theksoi se viti 2022 ishte një vit i rezultateve të larta dhe se për këtë vit duhet të identifikohen çështjet për zhvillim të mëtejmë të FSK-së në mënyrë që të realizohen objektivat e parapara. Gjithashtu, për realizimin e qëllimeve dhe tejkalimin e sfidave të mundshme për këtë vit, gjeneral Cikaqi kërkoi ndihmë nga partnerët ndërkombëtarë, në veçanti NALT dhe ISG.
Punëtoria njëditore e sotme vazhdoi me prezantimin e sfidave nga ana e drejtorëve te drejtorive të Ministrisë së Mbrojtjes për të cilat u diskutuan mundësitë dhe modalitetet për tejkalimin e tyre dhe arritjen e plotë të objektivave të parapara për vitin 2023.”, shton tutje njoftimi./FolDrejt/