Ministria e Shëndetësisë, ka sqaruar rreth vendimit për hapjen e kufijve tokësor, me theks të veçantë atyre me Shqipërinë.
MSh-ja ka ftuar të gjitha të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë si dhe zyrtarët politikë e shtetëror që të ndihmojnë në kapërcimin e situatave të vështira, “para se të përhapin me qëllim apo nga mos informimi lajme të pavërteta ose të shtrembëruara lidhur me vendimin për hapjen e kufijve tokësor të Republikës së Kosovës”.
MSh-ja sqaron se kufijtë me Shqipërinë nuk janë mbyllur, por që kërkohet kujdes i shtuar pasi që nuk ka kapacitete shëndetësore për të përballuar një shpërthim epidemiologjik.
Ky është reagimi i plotë i MSh-së:
Së pari i ftojmë të gjitha institucionet në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë si dhe zyrtarët politikë e shtetëror që të ndihmojnë në kapërcimin e situatave të vështira, para se të përhapin me qëllim apo nga mos informimi lajme të pavërteta ose të shtrëmbëruara lidhur me vendimin për hapjen e kufijve tokësor të Republikës së Kosovës.
Duke qenë se situata epidemiologjike ditët e fundit paraqitet me rritje të rasteve pozitive në Covid-19 dhe nuk është stabile, në disa komuna të Kosovës, kemi treguar një kujdes të shtuar në këtë fazë në lehtësimin e masave në të gjitha degët e ekonomisë, arsimit, sportit, etj., por edhe duke vënë në kontrollë mjekësore çdo person që hyn në territorin e Kosovës.
Me datë 31 maj morëm vendimin që hyrja për këdo, shtetas ose jo të Kosovës prej 1 qershorit lejohet nga 6 pikëkalime kufitare. Kriteret për lejimin edhe të shtetasve të Kosovës edhe atyre të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Serbisë, apo shtetas të vendeve të tjera që duan të futen në Kosovë, janë që duhet të nënshkruajnë deklaratën për 7 ditë vetizolim në kushtet e shtëpisë së tyre apo aty ku do të qëndrojnë. Nga ky rregull përjashtohen ata/ato qytetarë pavarësisht nga shtetësia që kanë, të cilët me rekomandim të autoriteteve përkatëse i janë nënshtruar testit në katër ditët e fundit para të paraqitjes në kufi. Me që me siguri ka të tillë të cilët mund të kenë pasur raste kontakti, etj. dhe institucionet e vendit të tyre i kanë testuar tashmë.
Ky rekomandim ka ardhur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës. Sepse, situata epidemiologjike në Kosovë dhe në vendet përreth nuk është pa rrezik. Në rekomandimin e fundit IKSHPK rekomandon që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e menaxhimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve, sepse e veçanta e Kosovës është se nuk ka kapacitete shëndetësore për të përballuar një shpërthim epidemiologjik. Aq më tepër tani kur për tre muaj pa ndalur personeli i pamjaftueshëm që ka Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, është i mbingarkuar dhe padyshim që janë të stëmunduar.
Për dijeninë e opinionit mbarë shqiptarë, veçanërisht të qytetarëve nga Republika e Shqipërisë, laboratori ynë ka shumë pak mjekë që kryejnë testimet dhe pak epidemiologë e mikrobiologë në këtë situatë të vështirë. Klinika jonë Infektive i ka 126 shtretër për rastet e prekura nga virusi.
Ne do të donim që këtë situatë të rëndë gjatë këtyre tre muajve të ishim edhe më afër njëri tjetrit edhe përmes ndihmave konkrete të institucioneve respektive nga dy shtetet, por për arsye objektive barnat, mjetet mbrojtëse, stafi mjekësor në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Shqipërisë kenë qenë të pamjaftueshme që të presim më shumë ndihmë konkrete.
Në këto kushte kur Republika e Shqipërisë po kalon po ashtu nëpër të njëjtat probleme dhe kur sistemi shëndetësor i ka këto probleme të rënda të trashëguara, nuk kemi rrugë tjetër përpos se me kujdes të madh të fillojmë nga hyrje daljet e kontrolluara dhe të monitoruara për çdo ditë.
Një shpërthim i ri epidemiologjik i ri në Kosovë do të ishte fatal për të gjithë sistemin dhe me aq sa patëm përvojë këta tre muaj është pak e pritshme që institucionet simotra të Shqipërisë do të mund të ndihmonin në këto kushte.
Ndaj ftojmë për durim, mirëkuptim dhe solidaritet!
Kemi kaluar më të vështirën, do ta kalojmë edhe këtë moment. Askush nuk duhet ta ndjejë si ndalim për të hyrë në Kosovë, por si kujdes i domosdoshëm ndaj situatës dhe kapaciteteve që i ka Republika e Kosovës.