Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga nesër do të fillojë “Karvani i vaksinimit”.
Ky aktivitet, siç informon kjo Ministri, është një aktivitet shtesë një mujor me qëllim të promovimit të vaksinimit kundër gripit sezonal dhe kundër COVID-19 dhe rritjes së numrit të vaksinuarve kundër këtyre dy sëmundjeve. Tashmë, qytetarët e Kosovës mund ta vaksinohen kundër COVID-19 edhe me dozat bivalente përforcuese.
“Karvani i vaksinimit” do të fillojë nesër (22 dhjetor 2022) në Fushë Kosovë për të vazhduar sipas orarit edhe në komunat e tjera.
“Ky aktivitet synon që të ndihmojë qytetarët për ta kuptuar sa më mirë rëndësinë e vaksinimit dhe njëkohësisht për t’u vaksinuar kundër gripit sezonal dhe kundër COVID-19, në kohën kur në vende të ndryshme të botës numri i rasteve të reja të COVID-19 ka filluar të rritet.
Për këtë qëllim, për një periudhë kohore prej më shumë se një muaji, në komunat e Kosovës, ekipet e vaksinimit do t’u mundësojnë qytetarëve që të vaksinohen përmes këtij aktiviteti.
Objektivat e karvanit të vaksinimit janë:
- Inkurajimi i qytetarëve për vaksinimit kundër COVID-19 dhe kundër gripit sezonal dhe promovimi i sjelljeve parandaluese dhe masave të shëndetit publik;
- Sigurimi që vaksinimi kundër gripit sezonal dhe COVID-19 të jetë lehtësisht i arritshëm në komunitetet lokale, veçanërisht për popullatën me të ndjeshme dhe;
- Promovimi i pjesëmarrjes së drejtuesve të komunitetit në aktivitetet lokale për të adresuar pengesat në procesin e vaksinimit.
Gjatë karvanit të vaksinimit, përveç vaksinës kundër gripit sezonal, qytetarët do të mund të vaksinohen edhe me dozat bivalente përforcuese kundër COVID-19, të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë.”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e kësaj Ministrie./FolDrejt/