Ushtria ruse ka rrëzuar 13 dronë të tjerë ukrainas mbrëmë, njoftoi sot Ministria ruse e Mbrojtjes.
“Sistemet e mbrojtjes ajrore interceptuan gjithashtu 14 predha ukrainase nga raketahedhëset me shumë tyta Smerch mbi zonat e banuara në Donbas”, tha zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov në një konferencë për media, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Sipas tij, aviacioni rus goditi 120 zona të përqendrimit të fuqisë punëtore dhe pajisjeve ushtarake ukrainase, një depo municionesh dhe radarin e një sistemi të mbrojtjes ajrore S-300.
“Forcat strategjike të raketave shkatërruan 405 zona të përqendrimit të fuqisë punëtore dhe pajisjeve ushtarake, 12 pika kontrolli dhe 26 njësi artilerie në pozicionet e qitjes, një sistem të mbrojtjes ajrore S-300, tre raketahedhës me shumë tyta Smerch dhe dy depo municionesh, ndërsa raketat me precizitet të lartë goditën katër pika kontrolli, 34 zona të përqendrimit të fuqisë punëtore dhe pajisjeve ushtarake ukrainase si dhe dy depo municionesh”, tha ai.
“Që nga fillimi i operacionit special ushtarak, janë shkatërruar 164 avionë, 125 helikopterë, 821 mjete ajrore pa pilot, 303 sisteme të mbrojtjes ajrore, 3.013 tanke dhe mjete të tjera luftarake të blinduara, 364 raketahedhës me shumë tyta, 1.471 armë artilerie fushore dhe mortaja si dhe 2.824 njësi të mjeteve speciale ushtarake”, shtoi ai.
Të paktën 3.496 civilë janë vrarë dhe 3.760 të tjerë janë plagosur që kur Rusia nisi luftën kundër Ukrainës më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së. Shifra reale dyshohet të jetë shumë më e lartë.
Gati 6 milionë njerëz kanë ikur në vende të tjera, me rreth 7.7 milionë të zhvendosur brenda vendit, sipas Agjencisë së OKB-së për Refugjatët./FolDrejt/