Asnjë nga ministrat e ish’qeverisë Kurti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ia ka dorëzuar detyrën ministrave të kësaj qeverie.
Madje, kështu ka vepruar edhe ish’kryeministri Albin Kurti që nuk ia dorëzoi dje detyrën kryeministrit Avdullah Hoti.
Për këtë çështje, në mbledhjen e dytë të qeverisë ka reaguar Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj që sot ka marrë zyrtarisht detyrën.
Haradinaj që nuk është pritur sot nga ish’ministri Glauk Konjufca për t’ia dorëzuar detyrën, ka thënë se pranim dorëzimi është element themelor i edukatës shtetëformuese.
“Në shtetin me kulturë demokracie pranim dorëzimi i detyrës është element themelor i edukatës shtetformuese, dhe asesi shtyerja e egos personale. Dje edhe sot u dëshmua që Kosova funksionon edhe pa ato pranim dorëzime por shteti i Kosovës nuk ka nisur as me mua as me ne, as me dikë tjetër, sepse janë gjenerata të tëra që kanë punuar për këtë vend e kanë sakrifikuar andaj sot bashkë duhet ti nderojmë të gjithë ata”, ka deklaruar Haradinaj.