Duke filluar që nga dita e nesërme dhe në vijim do të aplikohet regjimi i posaçëm ’41-bis’ në burgjet shqiptare. Që do të thotë se për të burgosurit dhe të paraburgosurit e sigurisë së lartë parashikohet zero kontakt me botën jashtë, ndërsa takimet do të regjistrohen me audio dhe video. Ata mund të takojnë familjarët apo ti telefonojnë vetëm njëherë në muaj, ndërsa gjithçka do të jetë e regjistruar. Kësaj kategoria të të burgosurve do t’u ndalohet përdorimi i vlerave monetare që vijnë nga jashtë. Gjithashtu parashikohet kufizimi i orarit të ajrimit për të burgosurit deri në 1 orë në ditë. Të burgosurit kanë të drejtën e ankimimit për këto masa që parashikohen.
Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj deklaroi se këtij regjimi do i nënshtrohen 270 të dënuar apo që janë në proces gjykimi, pasi dyshohet se vijojnë kontaktet me botën e krimit jashtë.
“Prokurori Federico Cafiero De Raho është për herë të dytë në Shqipëri për çështje që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit. Ne kemi marrë masa në sistemin e burgjeve dhe konferenca e sotme kishte të bënte me zbatimin e regjimit ’41-bis’ në burgje, që futet në fuqi nesër. Në zbatimin e këtij regjimi do të kemi mbështetjen e Italisë. Sot inspektuam sallën operacionale që është ngritur për monitorimin 24 orë të burgjeve, që të rritet siguria, të ulet korrupsioni dhe për të eliminuar rastet kur subjektet e krimit kanë kontakt me botën e jashtme.
Do të marrim masat dhe do të arrijmë ti minimizojnë rastet kur krimi vijon aktivitetin edhe në burgje. Në këtë grup përfshihen 270 subjekte që pritet ti nënshtrohen këtij regjimi të posaçëm. Ka subjekte që vijojnë veprimtarinë e tyre edhe në burgje” tha ministrja Gjonaj.
Këto deklarata ministrja i bëri pas konferencës që u organizua sot në Tiranë për luftën kundër krimit dhe izolimin e kokave të krimit.