Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e shoqëruar edhe nga ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, kanë qëndruar në këtë komunë, për të zhvilluar aktivitete në kuadër të fushatës kundër dhunës mbi baza gjinore.
Kështu njoftoi Ministria e Drejtësisë, me anë të një postimi, ku thuhet se dy ministret zhvilluan aktivitete me nxënësit e kësaj komune.
“Shkolla Xhavit Ahmeti në fshatin Hodonoc të Kamenicës, ishte nikoqire e një aktiviteti në kuadër të fushatës së “16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, me ç’rast ministret Haxhiu e Nagavci dhe kryetari Rahimaj takuan nxënësit e kësaj shkolle, për të diskutuar më shumë rreth edukimit të nxënësve, përkatësisht për pasojat e dhunës dhe rolin e nxënësve dhe mësimdhënësve në adresimin e këtij fenomeni.”, thuhet në postim.
Ministrja Haxhiu tha se, respekti i ndërsjellë është fryma në të cilën duhet kultivuar edukimin e fëmijëve. Ngacmimet seksuale në këtë moshë, mund të vijnë si rezultat i mos informimit të mirëfilltë për pasojat që mund të shkaktohen, trauma që mund të lënë këto sjellje në rritjen e fëmijëve, sikurse ndaj viktimave, ashtu edhe për ngacmuesit adoleshentë të cilët në këtë moshë mund të mos kenë njohuri rreth këtij fenomeni negative, njofton postimi i Ministrisë.
“Në anën tjetër Ministrja Nagavci tha se, institucionet nuk mund të injorojnë rastet e tilla kur ato ndodhin, dhe për këtë arsye shkollat dhe personeli duhet të kenë kujdes në edukimin e fëmijëve në këtë drejtim, përmes programeve të mira që mundësojnë ngritjen e vetëdijes së fëmijëve.
Kryetari i Komunës, Kadri Rahimaj, tha se programe të tilla janë të vlefshme për edukimin e fëmijëve dhe se arsimi ka një rol kyç krahas arsimimit edhe edukimit të përgjithshëm te fëmijët, andaj programe të tilla duhet të ofrohen edhe në nivel lokal dhe gjithsesi në fshatra.
Në fund, ministret Haxhiu dhe Nagavci, bashkëbiseduan me nxënësit dhe iu përgjigjën pyetjeve të tyre.”, thuhet tutje në postim./FolDrejt/