Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e fushatës “16 ditë aktivizëm kundër dhunës me bazë gjinore”, Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu diskutoi me studentët e kolegjit Kolegji AAB mbi luftimin e dhunës me bazë gjinore, njofton Ministria e Drejtësisë, transmeton Fol Drejt.
Ministrja Haxhiu theksoi se shoqëria jonë fatkeqësisht ende po ballafaqohet me dhunën ndaj grave, dhunë kjo e cila shumë shpesh përfundon me femicid, me ngacmime seksuale, e me forma te cilat cenojnë rëndë integritetin e tjetrit.
“Norma patriarkale janë ende të ngulitura thellë në mendësinë tonë kolektive, dhe mënyra më e mirë është interesimi për t’i trajtuar ato, për të diskutuar rreth tyre, duke nxitur debate me vullnetin më të mirë, për respektimin e integritetit të tjetrit, barazisë ndërmjet të gjithëve,” tha Ministrja Haxhiu mes tjerash.
Ministrja Haxhiu listoi edhe veprimet që ka ndërmarrë Ministria e Drejtësisë me nismat ligjore si masat dhe trajtimin ndaj dhunuesve po ashtu edhe për mekanizmat për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale dhe dhunës me bazë gjinore.
Përveç tjerash, Ministrja e vlerësoi jashtëzakonisht të rëndësishëm edhe angazhimin e qytetarëve në këtë luftë, duke kërkuar edhe prej studentëve që të kontribuojnë në parandalim të dhunës si dhe në raportim të menjëhershëm të çfarëdo akti të dhunës.
Ajo nënvizoi faktin që vendet e tjera e kanë lakmi rininë e Kosovës, andaj, Ministrja Haxhiu potencoi se është detyre e të gjithëve si shoqëri që ta orientojmë rininë tonë drejt një vetëdije të lartë kolektive të civilizuar.
“Para nesh kemi një rrugë të rëndësishme përpara, bashkimi në këtë kauzë të drejtë e të domosdoshme na bënë edhe më të fortë, edhe të pandalshëm e rrjedhimisht të suksesshëm në këtë betejë,” përfundoi Ministrja Haxhiu.
Studentët dhe të pranishmit diskutuan me Ministren edhe për format dhe mënyrat e parandalimit të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, ndërlidhja me mendësinë kolektive ndaj këtij fenomeni dhe angazhimin shoqëror në kapacitete individuale të secilit për të eliminuar dhunën me bazë gjinore./FolDrejt/