Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, sot mbajti konferencën përmbyllëse për vitin 2022.
Në këtë konferencë, ministrja Haxhiu, ka renditur të arriturat dhe sukseset e këtij viti, duke shprehur edhe zotimin e saj për aspirata të reja dhe përkushtim të palëkundur edhe në të ardhmen, njofton Ministria e Drejtësisë.
“Viti 2022, ishte vit i rëndësishëm që u karakterizua me angazhim të madh, sfida të shumta por edhe shumë të arritura. Prandaj e them me besim të plotë se po e përmbyllim suksesshëm sepse kemi punuar sipas planit dhe dinamikës së paraparë, drejt jetësimit të plotë të zotimeve që kemi dhënë para qytetarëve”, tha ministrja Haxhiu.
Për vitin 2022, gjithsej janë miratuar 34 akte normative të Ministrisë së Drejtësisë, dhe janë nxjerrë 133 Vendime, nga Ministrja e Drejtësisë.
Reforma në drejtësi është një sfidë e cila po arrin suksesshëm drejt realizimit të plotë të saj, rezultatet e së cilës më së miri do të fillojnë të ndihen nga viti i ardhshëm, u shpreh ministrja Haxhiu.
Edhe sa i përket transparencës, komunikimit dhe bashkëpunimit me mediat, ministrja Haxhiu theksoi edhe njëherë vullnetin për t’u përgjigjur interesimit dhe pyetjeve të mediave sipas dinamikës së punëve të Ministrisë, siç ka funksionuar deri tani.
Ndër të tjera, në fund të kësaj konference, ministrja Haxhiu uroi të gjithë qytetarët për një vit të mbarë duke theksuar rëndësinë e angazhimit të secilit sipas rolit dhe përgjegjësisë, punës dhe profesionalizmit, si qytetarë të devotshëm e besnik, drejt progreseve të reja për të tejkaluar bashkërisht me sukses, sfidat të cilat do të ballafaqohemi, si shoqëri e si Republikë./FolDrejt/