Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar sot 24-vjetorin e masakrës së Dubravës, duke theksuar se kjo masakër, sikurse edhe masakrat e tjera të kryera në Kosovë është dëshmi e regjimit gjenocidal të Serbisë, raporton Fol Drejt.
“Në kujtim të vrarëve në masakrën e Burgut të Dubravës
24 vite më parë, mes 19 dhe 24 majit të vitit 1999, në Burgun e Dubravës u vranë dhe u masakruan nga forcat serbe 117 shqiptarë të burgosur.”, shkroi Haxhiu në Facebook.
Haxhiu theksoi se masakra e Dubravës, sikurse edhe masakrat e tjera të kryera në Kosovë, është dëshmi e regjimit gjenocidal të Serbisë. Ndonëse kjo masakër ka shumë dëshmitarë dhe zinxhiri komandues është i ditur, drejtësia për krimet e kryera ende mungon.
Ajo shtoi se si Ministria e Drejtësisë, ashtu edhe qeveria janë angazhuar në vazhdimësi në fuqizimin e institucioneve të drejtësisë në mënyrë që ato të kenë kapacitete të plota në adresimin e krimeve të luftës dhe dokumentimin e tyre.
“Ne do t’i kujtojmë gjithmonë të rënët për liri, dhe nuk do të ndalojmë së punuari në sjellen e drejtësisë për viktimat dhe të mbijetuarit e krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzit dhe gjenocidit të kryer në Kosovë.
Lavdi të gjithë të rënëve për liri!”, shkroi tutje Haxhiu. /FolDrejt/