Në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, ministrja Albulena Haxhiu, e shoqëruar nga zëvendësministrja, Nita Shala si dhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi, pritën në takim delegacionin nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, e kryesuar nga kryetarja, Klotilda Bushka, zëvendëskryetarja, Dhurata Tyli, si dhe deputetë të tjerë, anëtarë të këtij Komisioni.
Në një diskutim tejet miqësorë, ministrja Haxhiu u shprehu mirëseardhje delegacionit nga Shqipëria, me ç’ rast falënderoi për gjithçka që Republika e Shqipërisë ka bërë për Republikën e Kosovës, si dhe shprehu kënaqësinë që të dy vendet tona kanë nisur njësimin e një mori çështjeve dhe fushave të ndryshme të cilat po përafrohen dhe po ndikojnë në ngritjen edhe më cilësore të infrastrukturës që do t’iu shërbejë qytetarëve këtej dhe andej kufirit si dhe në përgjithësi të gjithë bashkëkombësve tanë, transmeton Fol Drejt.
Kryetarja, Klotilda Bushka, shprehu mirënjohjen e përzemërt për pritjen dhe konsideratën që Institucionet e Republikës së Kosovës tregojnë për Republikën e Shqipërisë, si dhe vullnetin e shprehur për bashkëpunim të njëmend të institucioneve tona. Po ashtu znj.Bushaka tha se Institucionet e Republikës së Shqipërisë janë të gatshme për të ofruar ndihmë sipas përvojave të tyre në çështjet të cilat Ministria e Drejtësisë në Kosovë i konsideron të nevojshme.
Të dy palët u shprehën të gatshëm për edhe më shumë bashkëpunim në të ardhmen./FolDrejt/