Në deklaratat jashtë rendit të ditës deputeti Hysen Berisha nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka folur për rastin Dehari, gjë që duket se nuk i ka pëlqyer Ministres Albulena Haxhiu, raporton Fol Drejt.
“Janë dy parakushte për zbardhjen e vrasjes apo vetëvrasjes së Astritit, parakushti i parë për me u zbardh vrasja apo vetëvrasja e Astritit është me u zbardh rasti terrorist, sulmeve terroriste në presidencë dhe objekte e qeverisë. Por rastin e sulmeve terroriste mbi objektet e institucioneve të Republikës së Kosovës, nuk pres ta zbardhni sepse tërmeti politik do të binte mbi subjektin e tuj. Dhe parakushti i dytë, është zbardhja e vetëvrasjes së Arbnorit… cilat ishin motivet që e shtynë në vetëvrasje” – ka thënë ai.
Në këtë moment ka shpërthyer Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu e cila e ka goditur tavolinën e saj, duke u revoltuar nga këto pretendime.
Berisha e ka përmendur edhe rastin e vjedhjes së mostrave duke thënë se ministrja nuk ka dhënë llogari për to.
Ndërkohë ministrja Haxhiu është dëgjuar duke thënë “juve ua kisha ndalu me ligj me fol për rastin Dehari”, duke ua kujtuar opozitës se “në kohën e juj ka ndodhur vrasja” dhe se “ju i keni të lyera duart me gjak!”
Ndërmjet “klithmave” të ministres ka ndërhyrë Kryeparlamentari Glauk Konjufca i cili ka thënë:
“Z. Berisha edhe ju e dini se përpjekja për me e lidhë Lëvizjen Vetëvendosje me at sulm, ka qenë një proces i montuar gjyqësor politik me prapavijë politike…”
Ai ia ka kujtuar deputetit Berisha se personat të cilët janë dyshuar se kanë pasur lidhje me aktin terrorist të sulmeve ndaj institucioneve të Kosovës, janë liruar. Por ai e ka inkurajuar t’i drejtohet prokurorisë në rast se ai di diçka më tepër rreth rastit në fjalë.
Më pas tensionet janë ulur dhe seanca i ka vijuar punimet me pyetjet parlamentare./FolDrejt/