Ministrja e Drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Për këtë ajo reagoi përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
Haxhiu u shpreh se janë duke vazhduar me çdo përpjekje për zbardhjen e rastit të tyre.
“Sot kujtuam 1617 persona të zhdukur dhunshëm gjatë luftës në Kosovë.
Familjarët e të zhdukurve që prej 24 vitesh presin çdo ditë kthimin e më të dashurve të tyre të rrëmbyer me dhunë.
Populli i Kosovës është edhe viktimë edhe dëshmitare e mizorive të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Kthimi i të zhdukurve është edhe thirrje nga zemrat e secilit por edhe vullnet politik për të adresuar dhe këmbngulur në kërkesën e domosdoshme për kthimin e tyre.
Serbia nuk ka reflektuar as ndryshuar. Duke mos bashkëpunuar për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës, po dëshmon që janë të njëjtit pra adresa është Serbia dhe bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të qëndrojë duarkryq.
Adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë është një hap progresist drejt zbardhjes së drejtësisë për luftën në Kosovë. Instituti për krimet e kryera gjatë luftës do të kryej një rol aktiv. Kapacitetet për angazhim profesional i kemi shtuar me qëllim të hetimit dhe gjykimit të rasteve, qoftë edhe gjykimit në mungesë, përmes ndryshimit që lejon gjykimin në mungesë.
Nuk do të ndalemi asnjëherë në avancimin e sjelljes së drejtësisë për viktimat e luftës.
Do të bëjmë çdo përpjekje për zbardhjen e rastit të tyre.
Të gjithëve na mungojnë. Kurrë nuk do t’i harrojmë”, u shpreh Haxhiu./FolDrejt/