Pas një muaji grevë, dje zyrtarisht filloi viti i ri shkollor në të gjitha nivelet e arsimit të Kosovës.
Mirëpo, bashkë me fillimin e muajit tetor dhe vitit të ri shkollor, nuk u ekzekutuan pagat për sektorin e arsimit, teksa zëdhënsi i Qeverisë, Kryeziu, bëri me dije se këto paga nuk do të ekzekutohen për ata që kanë qenë në grevë, transmeton Fol Drejt.
Lidhur me këtë çështje dhe me grevën e orët e humbura, ka folur edhe ministrja Nagavci, e cila i ka konsideruar fëmijët si palën më të dëmtuar të kësaj greve.
“Kemi diskutuar me kryesinë e SBASHK-ut se a do të kompensojë sindikata pagat e mësuesve ashtu siç ndodhë në shumicën e vendeve tjera dhe meqë ligji ndalon kompensimin për punën e pakryer. Asnjë vëmendje e kujdes në këtë drejtim, përkundrazi një muaj grevë, shumë dëme për fëmijët, asnjë kujdes nga punëdhënësit, shumë zhurmë nga ata që kanë përgjegjësi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi. Dhjetëra takime me vullnet të njëanshëm, me përpjekje të njëanshme për rezultate të synuara që të jenë të përbashkëta”, tha Nagavci.
Tutje, lidhur me çështjen e pagave Nagavci ka drejtuar gishtin drejt komunave, duke thënë se janë ato që e kanë për obligim që çdo muaj të raportojnë në Ministrinë e Financave, gjë që nuk e kanë bërë.
“Ndonëse komunat janë përgjegjëse për organizimin e arsimit parauniversitar, janë punëdhënëse dhe e kanë obligim të raportojnë çdo muaj në Departamentin e Thesarit në Ministri të Financave, një gjë të tillë nuk e kanë bërë. Me kërkesë të ministrit të financave, Hekuran Murati, i kemi dërguar ato të dhëna që i kemi pasur të inspektorëve dhe zyrtarëve të MASHTI nga vizitat gjatë muajit shtator, në shkolla e çerdhe, me qëllim të realizimit të pagave për ta”, shtoi ajo.
Nagavci, tutje është shprehur se synojnë përmirësim të rezultateve në arsim dhe ka thënë se kompensim do të ketë, por për punën e bërë.
“Ne kemi premtuar për këtë dhe premtimet tona i mbajmë. Kemi marrë mandatin për të hartuar politikat e për t’i realizuar ato dhe s’do të ndalemi. Sot publikojmë Kalendarin e rishikuar për vitin shkollor për 22 ditë të humbura të mësimit. Rezultatet në arsim do t’i përmirësojmë. Bashkëpunimi e dialogu social do të vazhdojë, me parime e korrektësi, në interesin më të mirë të fëmijëve. Kompensim do të ketë. Kompensim për punën e bërë”, ka përfunduar Nagavci./FolDrejt/