Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se përurimi i Abetares së përbashkët Kosovë-Shqipëri, është një ngjarje historike dhe e veçantë për kombin shqiptar.
“Është nder për mua sot në këtë ngjarje historike e të veçantë për kombin tonë. Nga normalja e Elbasanit, në normalen e Gjakovës, patriotë e intelektualë të shumtë i kushtuan jetën shtrirjes së aspiratave të rilindjes kombëtare dhe kësisoj edhe unifikimit të gjuhës shqipe”, tha Nagavci, transmeton Klankosova.tv.
“Sigurisht se pa themelet e rilindësve dhe atdhetarëve pasues, sot me siguri nuk do të kishim as gjuhën tonë të bukur shqipe, as abetaren e as nuk do të flisnim, sikurse po flasim sot”.
Ministrja tha se të gjithë vogëlushët shqiptarë, kudo që ata mësojnë, do të kenë të njëjtin tekst unik të Abetares.
“Kjo marrëveshje do të jetë historike, sepse edhe fëmijët e Republikës së Shqipërisë, ashtu si të Kosovës, dhe ashtu si të gjithë vogëlushët shqiptarë, kudo që ata mësojnë, do të kenë të njëjtin tekst unik të abetares, që uroj të ju sjell fat shëndet dhe mbarësi, e të jetë baza për sukseset e tyre në të ardhmen“, u shpreh ajo.
“U angazhuam të dy qeveritë dhe arritëm për fëmijët tanë, për brezat që do të vijnë pas nesh, një libër të përbashkët. 1 shtatori e shënon ditën e fillimit të procesit mësimor, andaj nga këtu ju uroj punë të mbarë, shëndet e suksese të gjithë mësimdhënësve dhe nxënësve”.