Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arberie Nagavci, ka thënë se nevojat e fëmijëve dhe të rinjve në arsim, nuk mund t’i artikulojë askush më mirë se vet ata.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, tha se sot ishte takuar me përfaqësues të grupit të fëmijëve, Respect Our Right (RoR) dhe të organizatës Kosovar Youth Council (KYC).
“I dëgjova me vëmendje kërkesat e tyre që kishin të bëjnë me mirëqenien dhe ofrimin e arsimit cilësor për ta dhe të gjithë nxënësit e Kosovës, ndërsa biseduam edhe për punën që na pret për të zbutur dëmet e shkaktuara nga pandemia në procesin e mësimnxënies”.
“Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave, siguria në shkolla, gjithëpërfshirja dhe përkrahja financiare për nxënësit e sukseshëm dhe për ata me nevoja të veçanta, njohja e punës vullnetare në arsimin e lartë, rritja e numrit të inspektorëve dhe pedagogëve e psikologëve në shkolla, ishin disa nga kërkesat e tyre”.
“Jam e kënaqur që kemi avokues të tillë për të drejtat e nxënësve, e po ashtu për faktin se për shumë nga këto kërkesa tashmë po punohet në MAShTI me përkushtimin më të madh. Ne në ministri do të jemi gjithmonë të gatshëm për bashkëpunim me organizata si RoR dhe KYC, në mënyrë që së bashku ta ngrisim cilësinë në arsim dhe të avancojmë të drejtat e garantuara të fëmijëve”,ka shkruar Nagavci, transmeton KlanKosova.tv.