Në Kuvendin e përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin në Shqipëri, Elisa Spiropali, theksoi përkrahjen e madhe që ka Shqipëria për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave, duke thënë se Shqipëria është ndër avokatët më të zëshëm të Kosovës në këtë çështje.
“Shqipëria është një nder avokatët më të zëshëm të Kosovës për liberalizimin e vizave, ne e gjykojmë absurde se si vazhdon ende të qëndrojë në këmbë regjimi i vizave”, ka thënë Spiropali.
Ndërkaq, duke shpresuar se liberalizimi do të ndodh shpejt, ka shprehur habinë se si ka mundësi që siç ka thënë ajo gjyshërit që kanë jetuar në Jugosllavi të lëvizin lirshëm, gjersa nipërit e tyre janë të izoluar.
“Se si është e mundur që në Kosovë ata që sot kanë moshë gjyshërish lëviznim lirshëm kur ishin në pushtimin e ish-Jugosllavisë, ndërkaq nipëritë e tyre, të lindur në lirinë që sollën bashkërishtë ShBA-të, BE-ja, NATO-ja, gjithë perëndimi së bashku me luftën e Kosovës, janë të dënuar ta kalojnë jetën në izolim. Shpresojmë të ndryshojë shpejtë, shpresojmë të ndodh menjëherë”, ka shtuar ajo.
Pas Spiropalit, edhe Ministri Sveçla doli para deputetëve me një fjalim.
Nga foltorja e Kuvendit të Tiranës, ku po mbahet mbledhja e përbashkët mes Kosovës e Shqipërisë, u shpreh se populli shqiptar pësoi më shumë se kushdo, por që mosndalja e përpjekjeve e sakrificave e sollën edhe çlirimin e Kosovës.
“Pëvoja jonë si shqiptarë nuk ka qenë e qetë, ne nuk përjetuam periudha të gjata e të qeta të ndërtimit të shtetit tonë. Ne pësuam më shumë se kushdo, por përpjekjet dhe sakrificat nuk u ndalën deri sa e çliruam edhe Kosovën”, u shpreh Sveçla.
“Ne vepruam si një popull, edhe pse në troje të ndara, dhe sot ne kemi realizuar një shtetim të madh të shqiptarëve”.
“Ashtu siç po i shtojmë e thellojmë marrëveshjet e bashkëveprimit mes nesh, tani është koha më shumë se kurrë që hapat tanë të jenë nje, që mbërritja jonë drejt qëllimit të jetë sa më e shpejtë”, u shpreh ai tutje./FolDrejt/