Një ministre rajonale e Shëndetësisë në Afrikën e Jugut është vënë nën kritika pasi u tha nxënëseve të “hapin librat dhe mbyllin këmbët”.
Phophi Ramathuba e bëri komentin gjatë një vizite në një shkollë të mesme në një përpjekje për të inkurajuar abstinencën dhe për të ulur normat e shtatzënisë adoleshente.
“Vajzave i them: Hapni librat dhe mbyllni këmbët. Mos i hapni këmbët, hapni librat. Faleminderit shumë”, u tha ajo studentëve.
Ajo shtoi se vajzat po josheshin nga burrat e moshuar duke përdorur gjëra luksoze si paruke të shtrenjta dhe telefona inteligjentë.
Komentet nxitën kritika pasi një video e fjalimit u shpërnda në rrjetet sociale.
Ramathuba mbrojti mesazhin, duke thënë se u drejtohej edhe djemve, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.
“U thashë djemve që të fokusohen në edukimin e tyre dhe të mos flenë me vajza”, tha ajo.
Statistikat e qeverisë tregojnë se mbi 33 mijë vajza nën moshën 17 vjeç kanë lindur në Afrikën e Jugut në vitin 2020.
Save the Children thotë se mungesa e aksesit në edukimin gjithëpërfshirës seksual, si dhe shërbimet shëndetësore janë faktorët kryesorë që kontribuojnë në shtatzënitë e adoleshentëve në Afrikën e Jugut.