Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka dalë me një deklaratë pas arrestimeve që u bënë gjatë bastisjeve të sotme në hapësirat e kësaj ministrie, transmeton Fol Drejt.
Në deklaratën e MINT-it theksohet se kjo ministri mirëpret çfarëdo hetimi për rastin e blerjes së rezervave shtetërore, anipsë janë të bindur se furnizimet dhe rezervat janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe se sipas MINT-it asnjë dëm nuk ka ndodhur me to.
Reagimi i plotë i MINT-it:
Sot, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë erdhën Njësia hetuese e Prokurorisë Speciale, me urdhër të prokurorit Valdet Gashi për kontroll në zyret e dy zyrtarëve të lartë të MINT, të Drejtorit të Departmentit për rezervat shtetërore, z. Hafiz Gara dhe Drejtorit të Deparmentit të integrimeve evropiane, z.Irfan Lipovica. Për më tej Prokuroria Speciale ka bërë njoftimet për rastin që po hetohet nga ta.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, anipse ne jemi të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje me ligjet përkatëse, planin përkatës dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to.
Për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku në vendin tonë. Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe kordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cënojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë, e klasifikuar sipas Ligjit për Rezervën Shtetërore dhe Ligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i lut mediat që të përmbahen nga deklarime të pakonfirmuara nga ministria dhe siguron se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi.
Ministria është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e Rezervës Shtetërore edhe në këtë vit, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2023, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës.