Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka folur për rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës.
Tahiri përmes një postimi në Facebook ka thënë se miratimi i Rregullores së Punës së Kuvendit është meritë e drejtpërdrejtë e punës më shumë se një vjeçare e Grupit Punues, transmeton Klankosova.tv.
“Miratimi i Rregullores së Punës së Kuvendit është meritë e drejtpërdrejtë e Grupit Punues që ka punuar më shumë se një vit, e i cili përbëhej me shumicë nga partitë opozitare, ekspertë të NDI-së dhe organizatave tjera të shoqërisë civile”, ka shkruar Tahiri.
Ai ka thënë se është pikërisht kryeministri Kurti i cili e ka penguar dhe bllokuar miratimin e kësaj rregullore.
“Statusi i kryeministrit Kurti tregon dy elemente shumë të rrezikshme: e para, tendenca për të marrë merita që nuk i takojnë, për shkak se, në qoftë se ka një njëri që e ka bllokuar miratimin e kësaj rregullore, ka qenë vet z. Kurti gjatë dhjetë viteve, i cili nuk ka dashur të mbështesë shumicën për të kaluar këtë rregullore. E dyta, ai e merr rolin e Kryetarit të Kuvendit, i cili duke dashur ta ruajë konsensusin që e kemi pasur në grup punues, nuk ka publikuar dhe nuk ka marrë merita”, është shprehur ai.
Tahiri ka thënë se nuk e di çka është duke menduar Kurti, i cili, sipas tij, njëherë shpallë gjendje lufte e në të njëjtën kohë bënë përpjekje me i marrë meritat që nuk janë të tij.
“Nuk e di çka po mendon Kryeministri, njëherë duke shpallë gjendje lufte, e tash duke u munduar të marrë merita që nuk i takojnë dhe që nuk janë të tij”, ka përfunduar Tahiri.