Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka njoftuar se është miratuar në parim Projektligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, raporton Fol Drejt.
“Ministri Çeku prezantoi sot para anëtarëve të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Projektligjin për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta. Pas diskutimeve, komisioni, i drejtuar nga kryesuesi Ardian Gola, me shumicë votash e miratoi në parim këtë projektligj, i cili ka për qëllim ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës si dhe nxitjen e kreativitetit, krijimtarisë kulturore dhe sigurisë për kompensime adekuate për krijuesit në Republikën e Kosovës.”, shkruan në njoftimin zyrtar të MKRS-së.
Në komunikatë theksohet se përmes tij rregullohen qartë të drejtat e autorit që në bazë të pronës intelektuale u takojnë autorëve përkitazi me veprat e tyre në lëmin e letërsisë, shkencës dhe artit si dhe ofrohet mundësia e zgjidhjes së kontesteve në të drejtën e autorit përmes mjeteve alternative si ndërmjetësimi dhe arbitrazhi.
“Në vijim, komisioni shqyrtoi raportin me amendamente të komisioneve të përhershme për Projektligjin për Kinematografinë, të cilin po ashtu e prezantoi ministri Çeku. Ndërsa pas shqyrtimit, anëtarët e komisionit me shumicë votash e miratuan raportin me rekomandime dhe të njëjtin e proceduan për lexim të dytë në seancë plenare.”, thuhet tutje në njoftim. /FolDrejt/