Senati i SHBA-së miratoi të enjten me shumicë dërmuese projekt-ligjin që ka për qëllim të shmang mbylljen mbarëkombëtare të hekurudhave duke detyruar sindikatat të pranojnë marrëveshjen e përkohshme të ndërmjetësuar nga administrata e Bidenit.
Për projektligjin 80 votuan pro, 15 ishin kundër dhe një i përmbajtur. Pas votimit, Senatit ia përcolli projekt-ligjin presidentit të SHBA-së, Joe Biden, i cili pritet ta nënshkruajë menjëherë, pasi u kërkoi ligjvënësve ta miratojnë atë. Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të mërkurën projektligjin me shumicë bindëse dypartiake, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Masa detyron sindikatat e hekurudhave të pranojnë marrëveshjen e përkohshme të ndërmjetësuar nga administrata e Bidenit gjatë verës. Katër nga 12 sindikatat e përfshira në negociata kanë hedhur poshtë marrëveshjen për mos përfshirje të pagesës gjatë pushimit mjekësor për punëtorët. Sindikatat kanë kërcënuar me grevë nëse nuk arrihet marrëveshje deri më 9 dhjetor.
Biden i ka kërkuar Kongresit ta miratojë me shpejtësi projektligjin, duke thënë se nëse do të lejohet mbajtja e grevës, kjo do të rezultonte në humbjen e punës të 765 mijë amerikanëve vetëm brenda javëve./FolDrejt/