Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme e ka miratuar në parim Projektligjin për Fondin Sovran, shkruan Fol Drejt.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ky fond është duke u jetësuar, ndërsa ai është i pranishëm në 170 shtete të botës, nga 200 sa janë gjithsej.
Sipas kryeministrit ndërmarrjet publike, “së bashku me 24 mijë asetet tjera do të barten nga Qeveria në Fond Sovran.”
Për më shumë, sipas tij, me këtë hap qeverinë po e bëjmë më të vogël por shtetin më të fortë e më të pasur. Po ashtu Fondi Sovran do ta vendos Kosovën në hartën e tregjeve botërore financiare, por që vetë fondi do të jetë bërthama e sovranitetit ekonomik.
Pas kësaj kryeministri hodhi në votim Shqyrtimin e Projektligjit për Fondin Sovran.
“Ne besojmë që një nismë e tillë do të rezultojë me stabilizim të ekonomisë përmes diversitetit, krijimit të profitit për shtetin përmes investimeve të mençura dhe me gjenerim të pasurisë për gjeneratat që vijnë” – ka thënë kryeministri, e më pas projektligji është votuar me shumicë votash nga kabineti qeveritar./FolDrejt/