Edhe sot ka vijuar seanca ndaj Nasim Haradinajt, ish-nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, transmeton Fol Drejt.
Prokurori i Dhomave të Specializuara, e pyeti atë rreth dosjeve të Gjykatës Speciale, të cilat u publikuan nga disa media, pasi ato u dërguan nga një person i panjohur në një pako, në zyrat e OVL – UÇK-së.
Haradinaj tha se nuk ka qenë në dijeni për konfidencialitetin e këtyre materialeve:
“Hetuesi na ka thënë se këto materiale mund të jenë të ndjeshme dhe kurrë s’na ka kthyer përgjigje të saktë se a ishin më të vërtetë të ndjeshme a po jo. Ai ka thënë se mund të jenë të ndjeshme dhe interesant për ne. De facto ai s’e ka pranuar me gojë që janë të tyre, na ka thënë se nuk bën t’i shumoni, t’i reklamoni dhe ne s’e kemi bërë asnjërën.”
Haradinaj u pyet nëse materialet që kanë pranuar kanë pasë shenja që tregojnë se janë dokumente top sekrete, por ai deklaroi se përderisa kanë arritur në zyrën e OVL-së së UÇK-së për të de-facto nuk janë sekrete sepse, sipas tij, sekretet nuk vijnë në zyrën e OVL-së së UÇK-së.
“Neve s’na është konfirmuar se a është sekrete. Unë s’e kam kuptuar që është sekret, s’më është sqaruar mua e askujt. Si mund të jetë sekret dicka që arrin publikisht në zyrat tona? Kjo është marre nëse të nin dikush”.
Haradinaj vazhdoi duke thënë se dokumentet që kanë ardhur në zyrat e OVL-së së UÇK-së nuk e kanë ditur se të kujt janë prandaj, sipas tij, ka qenë interes publik të dihet se çka ka ardhur.
Sipas tij, e tëra ka qenë e sajuar, ka qenë kurth:
“Nëse kisha desht t’i shpërndajë i kisha shpërnda dhe do të merrja përgjegjësi dhe për këtë punë që e kam bërë nuk pendohem as tash. Dokumentet që s’janë publike s’mund të arrijnë në zyrën tonë. Unë kam letra që të mijat që s’janë publike, që m’i ka çuar gruaja gjatë shërbimit ushtarak… Nëse janë të tuajt, ju nuk e keni vërtetuar, meqë po e bëni këtë zhurmë, mbani përgjegjësi. Pse na i keni sjellë? Tash po e shoh që ju keni pasur qejf që ne të dalim me to, sepse paska qenë kurth, tash po e shoh që paska qenë kurth. Tash po e shoh që ju i keni sjell, që ne ta bëjmë këtë punë e ju të na montoni kinse e kemi bërë ne”. /FolDrejt/