Një i ri llapjan është përshëndetur për herë të fundit me kolegët e punës, ndërsa ka paralajmëruar se arsyeja e kësaj përshëndetjeje ka të bëjë me mërgimin. Gazmend Hasani nga fshati Katunishtë i Podujevës, ka vendosur të ikë për në Gjermani, me shpresë se atje do ta ndërtojë ardhmërinë më të sigurt, shkruan Fol Drejt.
“Kam punuar për 6 vite rresht dhe tash kam vendosur ta lë punën. I gjeta kolegë, e tash po i lë si familjarë. Për këto vite Restaurant ORA në Podujevë, me në krye Ditar Hoti, më mirëpritën dhe më ndihmuan ta kuptoja e mësoja më së miri zanatin. Unë në të vërtetë nuk kisha nevojë shumë për punë e pagë, sa kisha nevojë për miq, e këtu i gjeta të dyja. Në periudhën më të vështirë të jetës sime, kur të gjithë familjarët që më kishin mbetur, nuk i kisha pranë, u “strehova” te familja e madhe e Nexhmi Hotit ne RESTAURANT ORA” – ka shkruar Hasani.
Ai më tej i ka falënderuar kolegët dhe pronarët e restorantit ku ka punuar, ndërsa është shprehur i dëshpëruar se “po e lë Kosovën. Po e lë ëndrrën e parealizuar të babait të ndjerë, luftëtar i UÇK-së.”
Historia e tij prekëse duket se ka tërhequr vëmendjen e shumë ndjekësve në rrjetet sociale./FolDrejt/