Në kulturën tonë të ngrënies në përgjithësi, mishi është një nga ushqimet të cilin duam ta kemi në mënynë e përditshme.
Por, receta e mishit të viçit me salcë dhe kërpudha është një ide shumë e veçantë, të cilën ua sjellim më poshtë.
Kjo është një pjatë e cila u soll në Ballkan nga Austro-Hungarezët, ndaj versionet e saj në këto vende janë shumë të ngjashme, shkruan AW, përcjell Fol Drejt.
Një recetë fantastike, me të cilën mund të shoqëroni më së miri orizin, bollgurin, makaronat apo edhe patatet.
Më poshtë e gjeni të shpjeguar hap pas hapi këtë recetë me shije të mrekullueshme.
Përbërësit që ju nevojiten
650-700 gr mish viçi, i prerë në kubikë
700ml lëng mishi
1 qepë e verdhë mesatare, e prerë në kubikë
1 thelpi hudhër e grirë
1 lugë gjelle piper i kuq
Kripë për shije
2 lugë gjelle gjalpë
170 ml salce domatesh
350 gr kërpudha të prera në kubikë
Një grusht majdanoz i freskët për zbukurim
Mënyra e përgatitjes
Në një tigan ose tenxhere të thellë bashkoni mishin dhe lëngun e mishit. Ziejini në temperaturë mesatare për 15-20 minuta.
Shtoni qepën, hudhrën piperin e kuq dhe kripë për shije. Përziejini mirë dhe vazhdoni gatimin për 20 minuta.
Herë pas here shtoni pak ujë të nxehtë për të mbajtur nivelin e lëngut të barabartë.
Më pas shtoni edhe gjalpin dhe salcën e domates duke i përzier mirë.
Uleni temperaturën në të ulët dhe ziejini masën edhe 20 minuta të tjera, duke e përzier shpesh. Ndërkohë mishi duhet të jetë zbutur.
Në fund, shtoni kërpudhat. Përziejini mirë dhe ziejini edhe 10-15 minuta të tjera, ose derisa kërpudhat të jenë të buta.
Zbukurojeni me majdanoz dhe shërbejeni mbi oriz ose makarona./FolDrejt/