Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër persona në Mitrovicë si të dyshuar për veprën penale “grabitje’”, transmeton Fol Drejt.
“Në orët e pasditës së sotme, hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë arrestuar katër persona të dyshuar për veprën penale “Grabitje”. Arrestimi i katër të dyshuarve është bërë mbi dyshime të arsyeshme, pasi të dyshuarit dyshohen se me datën 29 prill 2023, në rrugën ” Hasan Prishtina” në Mitrovicë, të maskuar e nën kërcënimin e armës viktimës i kanë grabitur një shumë e parave.”, shkruan në raportin e policisë.
Policia njoftoi se si rezultat i hetimeve të zgjeruara dhe dyshimeve të bazuara, janë realizuar edhe kontrolle në shtëpitë e të dyshuarve, ku në cilësi të provave janë sekuestruar materiale të nevojshme lidhur me veprën penale grabitje.
Gjatë kontrollit në tri lokacione është gjetur dhe është konfiskuar edhe substancë e dyshuar narkotike, ndërsa hetimet janë duke i vazhduar hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotik (DHTN).
Pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të rastit katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit policor. /FolDrejt/