Lideri opozitar grek Kyriakos Mitsotakis, ka kryer një intervistë për median lokale gjermane “Merkur”, ku ka folur për ngritjen e bashkëpunimit mes Greqisë dhe Gjermanisë, respektimit të marrëveshjes së refugjatëve mes BE dhe Turqisë dhe për shumë tema tjera.
Ajo që lidhet me Maqedoninë Veriore, është se Mitsotakis ka lënë të nënkuptohet se edhe nëse do fitonte zgjedhjet do respektonte Marrëveshjen e Prespës, përcjell foldrejt.com.
“Tema jonë nuk ka të bëjë me popullizmin. Tema e Marrëveshjes së Prespës prek gjithë grekët, të cilët 70 përqind e kundërshtojnë. Zoti Cipras ka nënshkruar një marrëveshje shumë të keqe,” tha Mitsotakis, i cili sipas anketave do fitojë bindshëm zgjedhjet e ardhshme parlamentare greke.
Në pyetjen konkrete të medias gjermane, nëse do respektonte marrëveshjen me Maqedoninë Veriore sikur të zgjidhej kryeministër, ai përgjigjet: “Marrëveshjet ndërkombëtare e detyrojnë një vend. Unë personalisht do qëndroj pas saj, që Shkupi të mos e keqpërdor marrëveshjen në aspektet negative kundër Greqisë.”/Foldrejt.com