Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj reagoi sot në lidhje me takimin në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Për këtë ai përveç aksionit simbolik në objektin e Qeverisë së Kosovës, reagoi edhe përmes një postimi në Facebook, përcjell Fol Drejt.
“Tension për Asociacion
Karikatura është ilustrimi pasqyrues i procesit negociator Kosovë-Serbi. Për gjatë gjithë kësaj kohe është prodhuar tension për të kamufluar koncesionin e madh që po del të jetë Asociacioni. Nga marrëveshje me njohjen në qendër tek Asociacioni në qendër të marrëveshjes. Ky është dëmi i madh, koncesioni i madh, të cilin Kurti e ka bërë në kurriz të Republikës së Kosovës.
Kjo marrëveshje, me Planin e Zbatimit tek i cili parashihen afatet kohore implementuese, jetëson Asociacionin si entitet të ri juridik, politik e të sigurisë. Entitet paralel karshi nivelit qendror të pushtetit. Asociacioni është garancë e ndarjes etnike dhe i prishjes së karakterit unitar të shtetit të Kosovës. Mbi të gjitha, Asociacioni po vjen përbrenda një marrëveshjeje tek e cila nuk parashihet njohja reciproke e cila do të garantonte, njëherë e përgjithmonë, paqe në mes të dy vendeve.
Kurti nuk e ka legjitimitetin që të nënshkruajë marrëveshje që garanton themelimin e Asociacionit. Ky kryeministër duhet të jep dorëheqje qysh sot. Kosovës i nevojitet legjitimim i ri politik, si mundësi për shtetin e shoqërinë, si horizont për një marrëdhënie të re në mes të Kosovës dhe Serbisë që garanton paqen e sjell njohjen reciproke.
Rruga në të cilën është futur Kurti është edhe e rrezikshme edhe e dëmshme. Nga sot fillon aktiviteti ynë në kundërshtimin e fuqishëm të kësaj rruge”, u shperh Molliqaj./FolDrejt/