Katër zyrtarë të komunës së Novobërdës janë ndaluar nga policia e Kosovës për shkak të dyshimit se kanë keqpërdorur autoritetin zyrtar.
Sipas komunikatës për media, të njëjtit dyshohen se kanë marrë pagë në periudhën kohore prej 3 viteve në shumë prej 13 mijë euro pa u paraqitur në punë.
“Sot, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit e në bashkëpunim me policinë në Gjilan, janë ndaluar katër zyrtarë të komunës së Novobërdës për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, njofton klankosova.tv.
“Të njëjtit dyshohet se me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, kanë mundësuar marrjen e pagës pa u paraqitur në punë, duke dëmtuar buxhetin e komunës së Novobërdës”, thuhet ndër të tjera në njoftim.