Besnik Mulliqi është shkarkuar nga pozita e drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Podujevës.
Lajmin e ka bërë të ditur vet Mulliqi i cili tha se sot pas një aksioni të rrënimeve në fshatin Orllan, në zonën e Liqenit të Batllavës, ka pranuar në e-mailin zyrtar vendimin për shkarkim.
Ai thotë se ka pasur mospajtime të thella me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, për rrënimet e bëra duke pretenduar se kjo edhe është arsyeja e shkarkimit të tij.
“Pra, shkarkimi ka ndodhur si pasojë e përpjekjeve të mia të vazhdushme për ta mbrojtur atë zonë dhe jo vetëm! Po, është e vërtetë që kemi pasur mospajtime të thella me Kryetarin e komunës së Podujevës, në njërën anë une në mbrojtje të ligjit dhe anën tjetër “Ai” në tentim për të më penguar!”, ka shkruar Mulliqi në Facebook, transmeton Klankosova.tv.
Ai e cilëson vendimin për shkarkimin e tij si skandaloz.
Klankosova.tv ka provuar të kontaktojë edhe me kryetarin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, por i njëjti nuk i është përgjigjur telefonatave.