Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës për suspendim nga puna të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Liljana Stevanoviq është vendim i drejtë.
Ministrja Haxhiu në emisionin “Përballje”, ka thënë se veprimet e kryetares Stevanoviq kanë qenë të paprecedentë, duke marrë kështu pjesë në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Gjatë këtyre ditëve kanë ndodhur një sërë zhvillimesh dhe specifikisht pas veprimeve të paprecedentë të kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që janë në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës me detyrat e saj si kryetare e Gjykatës në Mitrovicë. Po ashtu në shpërputhje të plotë me legjislacionin në fuqi, d.m.th pjesëmarrja e një gjyqtari apo kryetares së Gjykatës Themelore në një takim të një shteti tjetër. Madje në një takim të Këshillit të Sigurimit që kishte thirrur Vuçiq, pra është e pazakontë që një përfaqësues i Kosovës gjerësisht kryetar i Gjykatës së Kosovës që paguhet nga taksat e qytetarëve të Kosovës të merr pjesë në një takim të tillë”, thotë ajo.