Përcaktimi i shkallës së lindshmërisë dhe vdekshmërisë së popullsisë brenda një shteti, rëndom është manifestuar si një shenjues që ka sinjalizuar të ardhmen demografike dhe zhvillimore të atij vendi. Si një shtet i ri në hartën politike dhe diplomatike të botës, vënia në rrezik e natalitetit dhe përmbysja e mundshme nga mortaliteti nuk kanë qenë probleme që e kanë kërcënuar më herët Kosovën, mirëpo si qëndron situata vitin e fundit? Sa po shkon drejt tkurrjes popullsia e Kosovës? Cilët janë faktorët e mundshëm? Ku po reflektohet ky ndryshim demografik dhe cilat struktura po kërcënohen?
Për të gjetur rrugën drejt përgjigjeve të duhura, Fol Drejt është rrekur të shfletojë ndërmjet statistikave zyrtare të nxjerra nga ASK si dhe njëkohësisht ka marrë prononcime nga ekspertë të fushës së sociologjisë dhe asaj arsimore.
Vlerat pozitive të shtimit natyror, sidomos rritja e natalitetit përballë mortalitetit, reflektohen si rritje e lulëzim i rinisë së një shteti. Për një kohë të gjatë, Kosova dhe shoqëria shqiptare edhe jashtë Kosovës, ka kryesuar listat demografike dhe ka gëzuar privilegjin e të pasurit një popullsi të re si rrjedhojë e një shtimi të lartë natyror. Mirëpo, dalja nga lufta e fundit dhe kontakti me fluksin e botës moderne duket se kanë filluar të përkthehen në ndryshime jo të kënaqshme për demografinë kosovare.
“Trendi” i zvogëlimit që ka nxjerrë krye vitet e fundit në Kosovë, duket se s’ka kaluar hiç më mirë as vitin e shkuar, me ç’rast sipas statistikave të nxjerra nga ASK, që vlerësojnë popullsinë e Kosovës gjatë periudhës janar-dhjetor 2021, del se shoqëria kosovare ka shënuar një tkurrje prej 24.215 banorë më pak. Një tkurrje e tillë ka rezultuar si rrjedhojë e disbalancës mes shtimit natyror (14.391 banorë) dhe numrit të lartë të migrimeve, ku vetëm vitin e shkuar janë shënuar 38.606 raste migrimi.
Një balancë më e kënaqshme del brenda vetë shtimit natyror, me ç’rast numri i natalitetit i raportuar prej ASK-së me 29236 lindje për vitin 2021 është dyfish më i madh se sa numri i vdekjeve, me gjithsej 14.845 persona të vdekur. E brenda kësaj shifre mortaliteti, një përqindje shumë e vogël u takon foshnjave të vdekura, që nuk kanë arritur të mbijetojnë pas lindjes.
Bazuar në disa të dhëna të Klinikës së Neonatologjisë, shkalla e mortalitetit për vitin 2021 është 16.5 promil. Konkretisht 147 foshnje, të ardhura edhe nga spitalet e tjera rajonale, nuk kanë arritur të mbijetojnë dhe si pasojë kanë humbur jetën. E shkaqet e vdekjes kryesisht përmblidhen në asfiksione perinatale, prematuritet me komplikime, anomali komplekse etj.
Duke iu referuar tabelave që ka nxjerrë ASK për shtimin natyror, kryeqendrat e mëdha vazhdojnë të qëndrojnë në krye të listës me një rezultat më të mirë balancimi midis lindshmërisë dhe vdekshmërisë. Kryeqyteti mban vendin e parë si komuna me shtimin më të madh natyror, së cilës gjatë vitit 2021 i janë shtuar edhe 1542 banorë të rinj. Më prapa nuk qëndron as Prizreni me një shtim natyror prej 1300 banorësh, ndërkohë pozitën e tretë e zë Ferizaj, shtimi natyror i të cilit arriti shifrën prej 1092 banorë. Shifra të larta shtimi natyror janë regjistruar edhe në komuna më të vogla, madje shtimi natyror prej 794 banorë në Drenas, ka lënë prapa edhe qendra më të mëdha si Gjakova e Gjilani. Përkundrazi, në këto dy qendra, viti 2021 duket se nuk ka shkuar mbarë, teksa është shënuar një numër i lartë vdekjesh krahasuar me numrin e lindjeve. Në Gjilan, prej 1385 lindjesh në vitin 2021, janë shënuar 900 vdekje. Statistika afërsisht të njëjta mban edhe Gjakova, ku krahas 1475 lindjeve, është shënuar një numër i lartë vdekjesh, me 885 të vdekur.
Ndërkaq, në fund të listës qëndrojnë komunat e banuara me komunitete, në të cilat shtimi natyror kalon në vlera negative. Madje komuna si ajo e Graçanicës dhe e Zveçanit karakterizohen me shifrat -81 e -55 banorë përgjatë vitit 2021. E më mirë nuk qëndrojnë as komunat e tjera Partesh, Ranillug, Shtërpcë, me zvogëlim popullsie që varion prej -16 e gjer në -41 banorë.
E kur këtyre statistikave të shtimit natyror u shtohet dukuria e migrimit, asnjë komunë e Kosovës, me përjashtim të kryeqytetit, Deçanit e Hanit të Elezit, nuk i shpëton bilancit negativ. Dukuria e shpërnguljes së popullit të Kosovës jashtë vendit, që gjatë viteve të luftës u motivua nga kërkimi i një mundësie për të jetuar, ka vazhduar edhe pas përfundimit të luftës. Dëshirat e shoqërisë kosovare për një jetë më cilësore kanë motivuar një fluks të madh migrimi, që ka reflektuar edhe në strukturën demografike të shoqërisë.
Në statistikat e ASK-së për migrimet në Kosovë, vihet re një lëvizje aktive e migrimit jo vetëm jashtë Kosovës, por edhe brenda vendit, kryesisht si shpërngulje prej zonave rurale dhe komunave më të vogla drejt atyre urbane e kryeqendrave. Sidomos Prishtina dhe Fushë Kosova, sipas statistikave, kanë pranuar një numër të lartë banorësh, të ardhur gati prej të gjitha komunave tjera, me ç’rast 1836 banorë janë vendosur në Prishtinë, ndërkohë 756 tjerë kanë zgjedhur si destinacion të ri banimi Fushë Kosovën.
Vetë prishtinasit duket se kanë zgjedhur migrimet jashtë vendit, teksa janë regjistruar 2625 raste emigrimi për vitin 2021. Gati një dyfishim migrimesh është shënuar në Gjilan, me ç’rast shpërngulja e mbi 4300 personave e ka vendosur këtë komunë si të parën me më së shumti migrime për vitin 2021. Prapa nuk qëndrojnë as komunat tjera si Prizreni, Suhareka, Rahoveci, Malisheva, Vushtrria e Ferizaj, ku në secilën prej tyre, numri i migrimeve për vitin 2021 tejkalon shifrën prej 2000 banorësh.
Shifrave negative të migrimit kombinuar me shtimin natyror gjatë vitit 2021 kanë arritur t’u shpëtojnë vetëm tri komuna të Kosovës. Ani pse rastet e migrimit nuk kanë munguar as në këto tri komuna, Prishtina, Deçani dhe Hani i Elezit kanë arritur të dalin nga ‘vorbulla’ e migrimeve me një bilanc pozitiv, kryeqyteti me gjithsej 236 banorë dhe dy të tjerat me nga 10 dhe 21 banorë.
E bashkë me dukurinë e migrimit, në vitet e fundit në Kosovë është hetuar edhe tendenca e modernizimit të konceptit të familjes në rrafshin e planifikimit familjar, që siç duket, e kombinuar me lëvizjet shpërngulëse të popullsisë, i kanë thënë “stop”, tatëpjetës demografike të shtimit natyror.
Lidhur me këtë ndryshim në strukturën demografike të Kosovës, gazeta online Fol Drejt ka komunikuar me sociologun Labinot Kunushevci i cili ka pranuar të japë prononcim. Edhe sociologu Kunushevci, në pajtim me statistikat e ASK-së është shprehur se ndër influencat e ndryshimeve të strukturës demografike është migrimi. Madje dukurinë e migrimit Kunushevci e ka parë jo vetëm si ndryshim demografik në statistika, por edhe në anën profesionale të popullsisë, si potencial të fuqisë punëtore, apo siç e ka emërtuar ai “ikje e trurit”.
I pyetur se sa dhe në çfarë mënyre ka reflektuar edhe modernizimi i konceptit të familjes në shoqërinë kosovare, Kunushevci ka pranuar se familja moderne sot ka humbur disa funksione themelore tradicionale, duke u reduktuar më shumë në funksionet konsumuese dhe riprodhuese, duke humbur rolin e saj si institucion bio-emocional dhe socio-ekonomik. “Kjo shfaqë një krizë identitare, me pasoja në orientimin e familjes, sepse vlerat kulturore si empatia, edukimi, kultura, morali, solidariteti, socializmi, humbin efektin e vet”, ka thënë Kunushevci. Megjithatë, Kunushevci ka kërkuar që shqyrtimi i familjes moderne të bëhet prej konteksteve të caktuara, sepse vetëm në atë mënyrë do të mund të shihej binomi e mirë dhe e keqe, që prodhon ky koncept modern. Siç ka thënë ai, ndarja e ekonomive familjare, roli i shëndetit riprodhues, planifikimi i edukimit, strategjitë e prindërimit, gjithnjë e më shumë varen nga planifikimi familjar sot.
Krejt në fund, i ngritur mbi migrimin dhe planifikimin modern të familjes, sociologu Kunushevci e ka konsideruar si të dëmshëm dhe me pasojë për shoqërinë kosovare nëse vazhdon një trend i tillë zvogëlimi i popullsisë edhe në vitet e ardhshme. “Nataliteti është vlerë nacionale dhe kulturore e një vendi”, është shprehur Kunushevci, ndaj çfarëdo trendi i zvogëlimit demografik shfaq pasoja të lartpërmendura sipas tij.
E ndër strukturat primare ku trendi i zvogëlimit të popullsisë ka nisur të lë gjurmë, janë strukturat arsimore, në të cilat kjo rënie e popullsisë është reflektuar si rënie e numrit të nxënësve. Se sa po rrezikohet arsimi nga rënia e popullsisë kanë bërë të ditur edhe disa prononcime nga stafi arsimor në tri komuna të Kosovës, Prishtinë, Drenas dhe Istog.
Në të tri komunat, mësimdhënëset dhe një drejtoreshë kanë pranuar me shqetësim zvogëlimin e numrit të popullsisë, sepse sipas tyre, ndikimi i këtij zvogëlimi në arsim është i paevitueshëm dhe rrezikon sa nxënësit, po aq edhe mësimdhënësit. “Ndër faktorët më relevantë të këtij ndikimi do të ishin zvogëlimi i numrit të nxënësve që si pasojë ndikon tutje edhe në reduktimin e paraleleve për klasë si dhe reduktimin e normës së mësimdhënësve”, ka thënë Sh.D, drejtoreshë në një shkollë fillore të Drenasit, e po të njëjtin shqetësim e ka shprehur edhe mësuesja e një shkolle në Prishtinë V.B, sipas së cilës zvogëlimi i nxënësve vë në rrezik mësimdhënësit, madje në rastin më të keq sjell shuarjen e klasëve. Ndërkohë, duke u lidhur me dukurinë e migrimit, mësuesja tjetër V.D, ka bërë me dije se po dëmtohet edhe psikologjia e nxënësve e bashkë me të edhe suksesi i tyre, ndaj “kjo e bën të vështirë edhe pjesën e vlerësimit dhe menaxhimit të këtyre nxënësve nga mësimdhënësi”, thotë ajo.
Të pyetura se sa mund të ndikojë ky zvogëlim në cilësinë arsimore, për mësuesen V.D. një zvogëlim nxënësish në zonat urbane do të ishte i pranueshëm dhe ndihmës në cilësinë e arsimit, mirëpo jo edhe në ato rurale, zvogëlim ky që do të ishte fatal. Ndërkohë, mendim tjetër ndan mësuesja V.B, sipas së cilës rënia e numrit të nxënësve është edhe rënie e cilësisë në arsim, “sa më shumë nxënës në klasë, aq më shumë ide”, ka thënë V.B. E negative uljen e nxënësve po e sheh edhe profesoresha e një shkolle profesionale në komunën e Istogut, Rr.M, e cila ka thënë se zvogëlimi i numrit të nxënësve është një e metë që doemos prek edhe cilësinë e arsimit. Por, ndryshe mendojnë drejtoresha Sh.D dhe mësimdhënësja L.I nga Drenasi, për të cilat sasia nuk e përcakton cilësinë dhe se është në dorën e mësimdhënësit e faktorëve tjerë menaxhimi i nxënësve pavarësisht numrit dhe arritja e rezultateve të synuara.
Duke folur për numrin e nxënësve të shpërngulur nga shkolla, drejtoresha Sh.D bëri të ditur se shkolla të cilën ajo e menaxhon viteve të fundit është përballur me një zvogëlim të dukshëm të nxënësve. “Mesatarisht në shkollën tonë viteve të fundit, si për nga lëvizja brenda apo edhe jashtë vendit, varion një numër rreth 3-5 nxënës”, ka thënë ajo. Ndërsa edhe mësimdhënësja e kësaj shkolle, L.I ka bërë një krahasim me gjeneratat e viteve të kaluara me mbi 30 nxënës nëpër klasë, dhe reduktimin e madh që po vërehet sot, me vetëm 22-28 nxënës dhe shpesh me vetëm nga një paralele, ose më e shumta dy.
Në bazë të prononcimeve të marra nga dy mësimdhënëset tjera, hiç më mirë nuk qëndrojnë as Prishtina e Istogu. Mësimdhënësja V.D ka bërë të ditur se vetëm vitin e shkuar klasa e saj është zvogëluar për dy nxënës më pak, meqë të njëjtët kanë lëvizur brenda dhe jashtë Kosove. Po kaq nxënës janë larguar edhe nga klasa e profesoreshës Rr.M në Istog, madje kjo e fundit është shprehur e shqetësuar edhe për faktin se shpesh as drejtimet nuk arrijnë të formohen shkaku i numrit të vogël të nxënësve.
Që të gjithë prononcuesit, duke u mbështetur edhe në statistikat zyrtare, por edhe në përvojat personale, janë pajtuar njëzëri se bëhet fjalë për një çështje kruciale dhe delikate, dhe se janë të vetëdijshëm që shoqëria kosovare po ecën në një terren ‘të rrezikshëm’ demografik që mund të ketë pasoja po qe se nuk merren masa./Rrezarta Morina/FolDrejt/