Nga Sulejman Bugari
Në fillim, shpreh dhimbjen time dhe keqardhjen e thellë për ngjarjen e tmerrshme në Cetinje me të cilën të gjithë jemi të tronditur, e sidomos familjet e viktimave. E lus të Gjithëmëshirshmin që të gjitha familjeve të viktimave t’u japë forcë ta përballojnë këtë dhimbje.
Kjo ngjarje fatkeqe është klithmë e SHPIRTIT të sotëm i cili është i robëruar, i përhumbur, i vetmuar dhe i lënë me veten, pa mbështetje, pa kujdes e dhembshuri nga kolektivi dhe SHPIRTI tjetër pranë tij. Njëkohësisht, kjo dhimbje e jonë kolektive është alarm i madh për secilin që ka mend, e sidomos për përgjegjësit.
Le ta pranojmë, vëllezër sipas njerëzishmërisë dhe atdheut, se ky është vetëm konfirmim dhe pasqyrë e gjendjes së shumicës së njerëzve në të cilën ata janë futur për shkak të konsumimit të tepërt të mediave të ndryshme, për shkak të kaq shumë gjysmëinformatave dhe dezinformatave. E kjo secilën shoqëri, qoftë ajo e vetëdijshme për këtë apo jo, e çon në një rreth vicioz – në tëhuajsim nga njëri-tjetri dhe, ç’është më e dhimbshme, në spikatje të qëllimshme të dallimeve mes njerëzve sipas fesë apo kombit.
Është e qartë se e ka mbuluar pluhuri imperativin e Krijuesit të botëve se duhet të jemi vëllezër për shkak të frymës së Tij mes nesh.
Krijuesi i botëve ia ka ndaluar vetes dhunën dhe na e ndalon edhe neve. Ai nga ne kërkon, nëse duam jetë të shëndoshë e begati, t’i vëmë gjërat në vendet e tyre që veten dhe të tjerët t’i ruajmë nga padrejtësia dhe dhuna.
Një nga përkufizimet e padrejtësisë në islam thotë: “T’i vësh gjërat në pavend”.
Kur bëjmë ndonjë vepër të ndaluar, ne atëherë jetojmë në terr, sytë na verbërohen. Prandaj i bëjmë dhunë njëri-tjetrit, sepse me shpirt nuk shohim se si qëndrojnë gjërat. Në gjuhën arabe, fjala terr (dhalam) rrjedh nga fjala e njëjtë dhunë (dhulum).
Duket se kjo botë i huton njerëzit dhe prandaj u pëlqen të jetojnë në terr. Pra, në terr jemi përderisa mendojmë keq dhe i bëjmë padrejtësi kujtdo.
Vëllezër dhe motra, çka presim nga njerëzit të cilët janë të vetmuar me shpirt, të cilëve përditë u imponohet hutia, urrejtja e tjetrit dhe të ndryshmit, e kështu me radhë. Sot, jo vetëm publiku, por edhe zogjtë në degë dëshmojnë se edhe shumë “personaliteteve” botëroro-fetare u pëlqen t’i nxjerrin në pah dallimet mes njerëzve dhe kënaqen që, falë pozitës dhe interesave personale, të fshihen prapa fesë dhe kombit, për t’i ngatërruar njerëzit dhe kombet.
Njerëz, e mira dhe e keqja nuk kanë komb!
Të gjitha mësimet e shenjta kërkojnë të mirën dhe janë kundër të keqes. Le ta marrim dhe ta promovojmë të mirën dhe le të jemi kundër të keqes, pavarësisht se përmes kujt dhe nga kush na vjen ajo.
Ia kujtoj vetes dhe juve gjurmët e sëmundjes së trashëguar e cila nuk na lë të jetojmë në paqe dhe dashuri. Të gjithë duhet të çlirohemi përnjëmend nga kjo dhe të shërohemi nga sëmundja në fjalë.
Mos dhashtë Zoti që këtë vepër t’ia ketë bërë ndonjë musliman ortodoksëve/katolikëve apo ndonjë ortodoks/katolik muslimanëve! Çfarë do të kishte qenë reagimi i shumicës, e sidomos i politikanëve të sëmurë, i nacionalistëve dhe fanatikëve fetarë?
Feja na mëson të jemi vetëm kundër atyre që u bëjnë dhunë njerëzve, pavarësisht se cilës fe apo komb i takojnë.
Krijuesi në Librin e Fundit, Kur’an, thotë: “Jini vetëm kundër atyre që u bëjnë padrejtësi njerëzve dhe atyre të cilët duan të veprojnë me padrejtësi në tokë” (Shuara, 42)
Neve na duken e na bëhen shumë gjëra sepse mbajmë në vete keq dhe sepse bëjmë keq.
Kur nuk respektojmë imperativët e Zotit dhe nuk veprojmë sipas rregullit të Zotit, shoqëria nuk mund të jetë në rregull.
Një nga imperativët e Tij është edhe ky: “Mos bëni dhunë dhe nuk do t’ju bëhet!”
Vëllezër dhe motra, le të bëjë secili prej nesh diçka të mirë për vëllain, motrën dhe shoqërinë nëse duam që të mos na marrin përpara gjërat të cilat përçajnë bashkësinë e shëndoshë dhe shoqërinë e pasur. Të jesh i mirë për hir të të Mirit dhe të përhapësh të mirën te secili është sfidë për secilin prej nesh!
Me të Gjithëmundshmin gjithçka është e mundur.
Le të çlirohemi nga nacionalizmi, fanatizmi fetar dhe çdo vepër që ngrit tensione mes njerëzve.
Si zyrtar fetar, them se shkaktarët kryesorë të çdo rrëmuje dhe padrejtësie mes njerëzve janë udhëheqësit e bashkësive fetare, sepse ata në rend të parë janë më përgjegjësit përpara Zotit dhe njerëzve dhe ata janë të vendosur në linjën e parë të frontit kundër çdo gjëje që përdhos nderin e njeriut dhe prish paqen mes njerëzve.
Të mos lejojmë që të na udhëheqin ata që ndërsejnë, përçajnë mbi çfarëdo baze, qofshin ata udhëheqës fetarë apo politikë.
Le t’u japim përparësi dhe le t’i promovojmë njerëzit e drejtë dhe të duhur, pavarësisht përkatësisë së tyre.