Hekuran Murati përsëri i ka paralajmëruar ata që do të futen në grevë, duke iu thënë se nuk do të paguhen, shkruan Fol Drejt.
Ministri i Financave gjatë një konference për medie ka kërkuar nga BSPK-ja dhe SBASHK që të ndërpresin grevën, e cila ka filluar ditë më parë.
“E drejta e grevës është e garantuar, praktikat nuk e obligojnë punëdhënësin për aq kohë sa është në grevë, grevistët të paguhen. Këtë shembull e ndjekin edhe shtete e tjera” – ka thënë ai, duke shtuar se kjo barrë, në këtë rast, i ngarkohet sindikatës.
Ai ka shpjeguar më tutje se Projektligji për Paga do të procedohet Kuvend sapo të kthehet legjislativi nga pushimi.
“Kemi procedura Projektligjin për Paga, e do të procedohet në Kuvend. Janë marrë parasysh vërejtjet e përfaqësuesve të arsimit dhe shumë kërkesa”, ka shtuar ai.
Ua kujtojmë se një ndër kërkesat kryesore të grevistëve është që punëtorëve të sektorit publik t’u ndahen nga 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga. Për më shumë, pas fillimit të grevës, Ministria e Financave ka kërkuar nga Këshilli Grevist listën e personave që po marrin pjesë në grevë për t’ua ndalur pagën sipas neni 18 të Ligjit për Greva.