Rusia mund të sekuestrojë asetet dhe bizneset me pronësi të investitorëve nga Perëndimi në vend, si një kundërpërgjigje ndaj së njëjtës masë që është vendosur ndaj Moskës.
Në një konferencë për mediat, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova paralajmëroi se Rusia ishte e përgatitur të vepronte në përputhje me rrethanat nëse Perëndimi vendos të përdorë asetet shtetërore të ngrira të Rusisë – mes tyre kryesorja është rreth 300 miliardë dollarë rezerva valutore të bankës qendrore.
“Përdorimi i fondeve do të interpretohet nga ne si një sulm i paligjshëm dhe sfidues jomiqësor, duke na dhënë të drejtën për të ndërmarrë veprime hakmarrëse për të mbrojtur interesat tona”, tha ajo të mërkurën.
Zyrtarë të lartë perëndimorë, përfshirë shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kanë sugjeruar përdorimin e aseteve të ngrira ruse për të ndihmuar financimin e rindërtimit të Ukrainës pas luftës.
Zakharova e quajti veprimin e Perëndimit për ngrirjen e aseteve – të imponuar si përgjigje ndaj dërgimit të dhjetëra mijëra trupave nga Moska në Ukrainë më 24 shkurt – një shkelje të ligjit ndërkombëtar.
“Nuk duhet të harrojmë asetet e huaja të vendeve perëndimore, bizneset dhe qytetarët që ndodhen në territorin e vendit tonë”, tha ajo.
“Nëse Perëndimi nuk arriti t’u përmbahet parimeve të demokracisë, një ekonomie të hapur, pronës private dhe pavarësisë gjyqësore, atëherë ne do ta njohim këtë dhe do të veprojmë në përputhje me rrethanat”, shtoi Zakharova.