Moska ka kritikuar vendimin e Parlamentin Evropian për përcaktimin e Rusisë si “shtet sponsor të terrorizmit”.
“Mendoj se është e qartë për të gjithë njerëzit e shëndoshë, unë nuk kam një diplomë mjekësore”, tha ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, në përgjigje të pyetjes mbi këtë çështje gjatë një interviste për ‘TV Moskën’ në margjinat e samitit të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), që po mbahet në kryeqytetin Yerevan të Armenisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Dje, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, në një mesazh në llogarinë e saj në Telegram propozoi që Parlamenti Evropian “të njihet si sponsor i idiotizmit”.
Parlamenti Evropian përcaktoi Rusinë si një shtet që “përdor mjetet e terrorizmit” pasi një votim miratoi rezolutën me 494 vota pro, 58 kundër dhe 44 abstenime.
“Deputetët evropianë theksojnë se sulmet e qëllimshme dhe mizoritë e kryera nga forcat ruse dhe përfaqësuesit e tyre kundër civilëve në Ukrainë, shkatërrimi i infrastrukturës civile, si dhe shkeljet e tjera serioze të ligjit ndërkombëtar dhe humanitar përbëjnë akte terrori dhe krime lufte”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Parlamenti Evropian.
Deklarata po ashtu i bëri thirrje Bashkimit Evropian (BE) që të “izolojë më tej Rusinë në nivel ndërkombëtar, përfshirë anëtarësimin e saj në organizata dhe organe ndërkombëtare si Këshilli i Sigurimit i OKB-së”.
“Meqenëse BE-ja aktualisht nuk mund të përcaktojë zyrtarisht shtetet si sponsorë të terrorizmit, Parlamenti Evropian i bën thirrje BE-së dhe vendeve anëtare të saj që të vendosin kuadrin e duhur ligjor dhe të konsiderojnë shtimin e Rusisë në një listë të tillë”, theksoi Parlamenti Evropian.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, nga ana e tij, përshëndeti vendimin e Parlamentit Evropian./FolDrejt/